Kryeministri Edi Rama prezantoi sot rezultatet e Këshillimit Kombëtar, një nismë e ndërmarrë nga qeveria e cila kërkon opinionin e qytetarëve për 12 çështje strategjike për zhvillimin e vendit. Në këtë proces morën pjesë më shumë se gjysmë milionë shqiptarë, konkretisht 563,195, që e dhanë mendimin e tyre me postë, online dhe pranë tendave të çdo bashkie në vend.

Kryeministri tha se: “Ka pasur në këtë proces një interferencë të padëshiruar, që lidhet me mbarë botën dhe natyrisht me gjëra shumë më të rëndësishme në këtë moment për qytetarët, për sa i përket ekonomisë familjare. Megjithatë ajo që është me rëndësi është se edhe gjatë kësaj interference të luftës në Ukrainë, kemi vazhduar të kemi shumë pjesëmarrje dhe e kemi mbyllur Këshillimin Kombëtar me një shifër përtej parashikimeve tona, mbi gjysmë milionë shqiptarë. E kemi përfunduar Këshillimin Kombëtar me një rezultat pozitiv, po natyrisht kemi edhe gjëra që duhen përmirësuar, si herë e parë që ishte, me shumë të panjohura edhe për ne vetë, po ajo që është më e rëndësishme është që gjithë qytetarëve që morën pjesë, t’u shpërblejmë besimin dhe t’u japim mbrapsht atë që meritojnë, përkushtimin tonë që zëri i tyre të dëgjohet me respekt dhe opinionet e tyre të kthehen në plane konkrete zbatimi, në atë drejtim që ata na kanë drejtuar.”

“Kemi bërë një proces me një shkallë anonimiteti ekstreme, për t’i dhënë të gjithëve mundësinë që të shprehen pa pasur asnjëlloj sikleti. Do të shohim më tutje sesi do të vijojmë në këtë aspekt pasi ka shumë elemente që duan diskutimin tonë të brendshëm, ashtu si ka dhe një sërë vërejtjesh, ankesa dhe sugjerime nga qytetarët që kërkojnë vëmendje.” u shpreh Rama.