Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka pritur në një takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Në një konferencë për mediat pas këtij takimi, Balla tha se u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në NATO, për të cilën PS dhe Shqipëria do të japin mbështetjen maksimale, si dhe për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, e cila do të afronte edhe më shumë kombin shqiptar.

“Është një vizitë me rëndësi të veçantë për peshën që ky grup parlamentar ka në Parlamentin e Kosovës. Dy ishin çështjet që diskutuam. E para ka të bëjë me procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. PS dhe Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Çështja e dytë, linja hekurudhore mes Durrësit dhe Prishtinës. Një çështje që kryeministri Rama e ka përqafuar që ditën e parë”, tha Balla.