Nga Kreshnik Spahiu
Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur sot në Shqipëri.
Qindra qytetarë po firmosin një peticion për largimin e ambasadores fuqiplotë të SHBA në Shqipëri, shkëlqesisë së saj Yuri Kim.
As në Moskë nuk ka protesta kundër ambasadorit amerikan.
As në Hungari nuk ka peticion kundër ambasadorit të SHBA.
As në Kinë nuk ka një organizim kaq agresiv kundër diplomatëve amerikanë.
Vladimir Putin, Viktor Orban, Xi Jipning apo Kim Jong-un janë shumë të kujdesshëm në aksionet apo lëvizjet kundër ambasadorëve amerikanë.
Të katërt nuk krahasohen me agresivitetin e Sali Berishës dhe partisë së tij kundër Ambasadës së SHBA.
Po pse pikërisht tani ky sulm masiv për largimin e Yuri Kim, kur dihet fare mirë që edhe sikur të largohet, ambasadori tjetër që do të dekretohet nga Presidenti Biden dhe sekretari Blinken do ketë të njëjtin qëndrim diplomatik sikurse Yuri Kim?
Përgjigjia është shumë e thjeshtë.
Në kohën kur çdo shtet evropian po largon diplomatët rus nga vendet e tyre, në Shqipëri dhe rajon, bazat ruse janë vitalizuar dhe i kanë shpallur luftë diplomatëve amerikanë duke kërkuar largimin e tyre. Vetëm Tirana, Beogradi dhe Podgorica protestojnë kundër Amerikës, si përpjekje e fundit e dëshpëruar që Ballkani të mos hyjë në BE dhe të mos futet në influencën amerikane në 100 vitet e ardhshme.
Pas mbylljes së ambasadës amerikane në 1997 dhe evakuimit me helikopter nga stadiumi “Qemal Stafa” të gjithë personelit të ambasadës, ky është sulmi dytë i mirëorganizuar i Berishës kundër SHBA në 32 vitet e post-komunizmit.
Peticioni kundër ambasadores amerikane Yuri Kim, është qartazi aksion për të relativizuar dhe balancuar largimin e shumë diplomatëve rus nga Evropa.
Sot unë jam ndjerë i turpëruar që bashkëqytetarët e mi në Tiranë po nënshkruajnë kundër shtetit që i detyrohemi për pavarësinë e dy shteteve tona shqiptare në Ballkan.
Mos harroni pa SHBA, ne shqiptarët do ishim “një shprehje gjeografike pa kufi” siç na përkufizonte dikur Evropa.
Ndjesë zonja Yuri Kim, por Ata nuk janë Shqipëria, por partia…