Nga Ylli Pata/

Shtyrja e Enkelejt Alibeajt nga Sali Berisha, është rasti tipik i një reagimi që vjen nga mungesa e fuqisë reale për të kontrolluar aksionin politik. Vetë personazhi i Sali Berishës është objekt real për të studiuar për 30 vjet me radhë se çfarë ka sjellë dhuna edhe bullizmi në politikë, si dhe pse herë pas here ngre krye ky fenomen i rëndë, që ka një ndikim kapilar në shoqëri. Për 30 vjet ne e kemi parë se si Sali Berisha, apo edhe liderë të tjerë xhanëm, kanë kryer apo nxitur dhunë, vetëm kur ata kanë qenë të dobët dhe të pafuqishëm për të ndikuar me mjete politike. Ne e kemi parë Sali Berishën kur ka qenë i fuqishëm dhe faktor relevant, që është kthyer jo në “qengj”, por një “Konicë” që qesëndis kundërshtarët, e shkakton të qeshura e ilaritet në salla konferencash shtypi apo edhe në publik.

Në vitet 2001-2002, në kulmin e përplasjes thuajse fratricide brenda socialistëve, kur Sali Berisha u bë faktor i rëndësishëm, pasi bënte aleancë sa me Fatos Nanon e sa me Ilir Metën, ne kemi parë një Berishë qësendisës me humor, që përdorte shprehjet: “Hani derra, pini derra”, luante me shprehjet e Nolit e Konicës duke bërë shaka e përdorur batuta. Është tamam koha, kur realisht u pa se Sali Berisha mund të rikthehet në pushtet, edhe si pasojë e një kaosi e degradimi të partisë që kishte përballë. Edhe kur u rikthye në pushtet në vitin 2005, kur pinte kafe me gazetarë në Rogner e diskutonte me intelektualë, ai rrezatonte fuqi e pushtet, që çoi në ngritjen e kuotave politike, madje edhe publike. Edhe kur tallej me protestën e socialistëve me bilbila në Kuvend, apo raste të ngjashme.

Pikërisht kur kuotat e tij nisën të binin jo thjesht në publik, por në moskontrollin real politik nisi të shpërfaqë dhunën. Rasti i parë i saj ishte përplasja me avokat Ngjelën, kur ai e sfidoi Berishën në Kuvend, e rrezikojë të lëvizë numrat e mbështetjes politike brenda PS-së. Veproi menjëherë duke e “ngrirë” Ngjelën dhe e linçoi në public. Aksionet i ranë muaj pas muaji, hyri në luftë me Top Channel, të cilit i turri shtetin mbarë, e zinxhiri vijoi. Me Gërdecin, 21 janarin e skandale me radhë.

Gjatë kësaj periudhe humbte mbështetjen politike në zgjedhje, po edhe atë në rang kombëtar. Nisi egërsia në Kuvend, kërcënimet ndaj deputetëve që i tregonin për aferat e familjarëve të tij. Janë epike shprehjet: Ta bëj ftyrën si këpuca, apo sharje të tjera me radhë. Të gjithë personazhet që Berisha i ka dhunuar e bullizuar, i ka kthyer në politikanë shumë të rëndësishëm që bënë karrierë. Pa përmendur në këtë rast, përvojën nga 1992 e deri 1996, ku Berisha ka qenë fryzëzuesi i dhunës dhe mbrojtësi i atyre që dhunonin. Tashmë janë pjesë e historisë vrasja e aktivistit të opozitës Gjovalin Çekini në 1995 në Shkodër, ku autori ishte familjar i një zyrtari të lartë të pushtetit. U dhunian në seri më pas me leva e vare pas koke politikanë e gazetarë. Që nga Gjergj Zefi, Edi Rama, Ndre Legisi, Arben Imami, Servet Pëllumbi, Namik Dokle etj etj.

E gjithë kjo dhunë nuk i ka dhënë aspak më shumë fuqi Berishës e PD-së, më shumë fuqi politike, por nga ana tjetër kjo kulturë përhapi si murtajë në politikën shqiptare kulturën e forcës, dhunës verbale, bullizmit e polarizimit. Madje kemi edhe politikane gra që për tu njohur në public përdornin gjuhë të egër dhe verbale. E kjo dhunë pastaj në shoqëri kishte efekt domino, duke frymëzuar të gjithë “mjeshtrat” e “artistët” e dajakut e shantazhit. Që nisën të bëhen nga të fortë rrugësh e xhepista, bën karrierë në politikë, mbaruan Juridikun me korrespondencë, morën mastera e doktoratura, u bënë prokurorë, gjykatësa e avokatë; e kështu si butë butë u bënë elitë. Me shumë para, shkolluan fëmijët e familjarët i punësuan në një rrjetë merimange në shtet, e krijuan kështu elitën e të fortëve që sot janë “bejlerët e aristokratët” e ri të vendit. Të cilët kur dolën rrjetet sociale u kthyën në “pionierët” e panairit të vanitetit të shfaqes me luks e kamje në instagram. Të cilët gjithashtu i futën një infeksion shoqërisë në pjesët bazike të saj, duke shërbyer si “model suksesi”.

Një model që është krejt e kundërt e botës perëndimore, ndaj edhe Parlamenti Europian, vendet e BE, SHBA kanë kërkuar prej vitesh jo me fjalë, po me raporte të shkruara që të braktiset polarizimi dhe gjuha e dhunshme në politikën shqiptare. E njëjta thuhet edhe në raportin e freskët të Parlamentit Europian, ku u mbështetën sanksionet e SHBA ndaj politikanëve të korruptuar. E pikërisht poër këtë, në këtë linjë ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, theksonte se kjo kulturë është tashmë pjesë e të shkuarës. Ata që e sulmojnë ambasadoren, thjesht janë ende në vorbullën e një bullizmi që të gjithë e shohin si diçka të vjetër që duhet braktisur në Shqipërinë e vitit 2022…