Dritan Demiraj, ish-ministër i Brendshëm dhe ish-komandant i Forcave Speciale të Shqipërisë ka analizuar luftën në Ukrainë, ndërkohë që thekson se Ushtria e Vladimir Putinit po shkon drejt një dështimi të turpshëm.
Në shkrimin e tij të publikuar në Facebook, Demiraj thekson se askush nuk e kishte menduar rezistencën e fortë të Ukrainës.
“Rritja e asistencës ushtarake në Ukrainë me mbi 3 miliardë dollarë, dërgimi i më shumë se 20.000 raketave moderne kundërtanke dhe kundërajrore, blerja e më shumë se 40 droneve Bajraktar TB-2, investimi serioz për tetë vite i forcave speciale ukrainase me taktikat e fundit të luftës asimetrike, operacioneve guerrile, operacioneve psikologjike, etj ka bërë që qëndra e gravitetit të luftës të ndryshojë në favor të Ukrainës.
Në respekt të lexuesit, dëshiroj të bëjmë disa analiza të thjeshta. Investimi i ushtrive tona në të ardhmen e afërt duhet të jetë ‘smart’. Një tank T-90 që kushton 5 milionë dollarë, mposhtet lehtësisht nga një raketë ‘Javelin’ 160.000 dollarë, nga një raketë ‘Carl Gustav’ 6.000 dollarë ose nga një predhë ‘RPG-7’ që gjendet me shumicë dhe ka kosto të lirë. Një helikopter sulmues rus MI-24, MI-25, MI-28, MI-35M, KA-52, etj të cilat kushtojnë 18-30 milionë dollarë, mposhten nga një raketë ‘Stinger’ që kushton vetëm 120.000 dollarë. Por këtu duhet të shtojmë edhe kostot e trajnimit të pilotëve që shkon nga 5-7 milionë dollarë dhe kohën e gjatë që duhet për t’i zëvendësuar ata, duke shkaktuar pothuajse 30 milionë dollarë dëme nëpërmjet përdorimit të një sistemi të lirë dhe të lëvizshëm luftimi.
Në të njëjtën kohë, duhet shtuar edhe përdorimi efektiv i mjeteve të shkëlqyera ajrore turke ‘Bayraktar TB-2’, të cilat njëlloj si në konfliktin në Nagorni Karabakh, jo vetëm që kanë shkatërruar dhjetëra konvoja të mekanizuara dhe të blinduara ruse, por në të njëjtën kohë kanë mundësuar edhe informacione inteligjence në lidhje me pozicionet luftarake, vendndodhjen e trupave ruse, në të njëjtën kohë kanë ulur në ‘tokë’ moralin e ushtrisë ruse”, thekson Demiraj.