Nga Jakin Marena/
Në krye të herës më duhet të riktheksojmë se ështu si të gjithë shqiptarët, jemi shpresëplotë se drejtësia e re do të realizojë më së miri dhe fort funksionin për të cilin është ngritur, me mbështetjen e plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe pritur me entuziasëm nga shqiptarët.
E thënë me fjalë më të thjeshta, mbështesim fort punën e SPAK, Gjykatës së Posaçme, si dhe prokurorisë e gjykatave të tjera për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në këtë vend. Dhe kur themi pandëshkueshmëri, nënkuptojmë vënien para drejtësisëtë të të gjithë atyre zyrtarëve, nga piramida e shtetit e deri në nivelin më të ulët, të cilët kanë abuzuar gjatë 30 viteve me paratë e shqiptarëve apo kanë përdorur pushtetin, qoftë ekzekutivin, qoftë legjislativin, qoftë dhe “çekiçin” e drejtësisë për pasurim personal, përmes shkeljes së ligjit. Në këtë pikë të gjithë shqiptarët janë në të njejtën gjatësi vale me partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, që më në fund në këtë vend drejtësia të bëjë drejtësi, dhe ky mision është i tëri në duart e drejtësisë së re, të të gjitha niveleve.
Pikërisht këtë presin me padurim shqiptarët, të cilët janë të paduruar deri në dëshpërim për të parë zyrtarët e lartë që kanë abuzuar me paratë e taksave të tyre sa më parë në burg, kuptohet përmes një gjykimi të drejtë e të barabartë për të gjithë, pa cedim miqësirash, ndikimi politik apo qoftë dhe të ‘shokëve të lagjes’.
Teksa nisi ngritja e drejtësisë së re me mbështetjen e fortë të SHBA, për të personifikuar më mirë se si parashikohej dhënia fund e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë për korrupsion, fitoi qytetarinë në këtë vend togfjalëshi “peshqit e mëdhenj” të korrupsionit!
E tha për herë të parë ish ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu dhe shqiptarët nga nevoja për të pasur drejtësi sa më shpejt në këtë vend, kishin në mendje emrat zyrtarëve më të lartë të politikës si të korruptuarit më të mëdhenj. Pikërisht këta emra kishin në mendje të gjithë, teksa përmendnin këtë emërtesë që kishte hedhur në publik ish ambasadori amerikan.
Në fillim nga kundërshtarët e Reformës në Drejtësi u bë objekt ironie, meme-sh, thjeshtë dhe vetëm për ta injoruar drejtësinë e re, por dhe duke shprehur shqetësim se po ngrihej pikërisht për për ata, që t’i përballnin me drejtësinë. Akuza këto që i modifikonin rast pas rasti me deklarata të tipit, se “Rama po fut në dorë drejtësinë”, “e bëri Sorosi reformën në drejtësi, duke i dhënë një dorë Ramës”, dhe akuza të tjera të këtij lloji.
Njëherësh nuk qëndruan duarkryq. Filluan katapultimin tek tuk të njerëzve të tyre në sistemin e drejtësisë, në të gjitha nivelet, herë duke zvarritur proceset përmes goditjes së figurave të sakta të drejtësisë e herë duke hedhur në treg emra prokurorësh dhe gjykatësish, të cilët ishin të pa-vetuar apo të sigurtë që mbeteshin në “rrjetën” e vettingut. Por që e merrnin kohën e vet kushtetuese, duke e zvarritur procesin deri në pafundësi.
Megjithëse institucionet e reja u ngritën, jo të paktë janë të ‘infiltruarit’ e kundërshtarëve të Reformës në Drejtësisë në këtë sistem, pasojat e të cilëve po ndjehen hap pas hapi në bërjen drejtësi. Ndërsa “peshqit e mëdhenj” vijojnë të “notojnë” të qetë në lumin e parave që kanë vënë në 30 vite politikë në këtë vend, pavarësisht se deklarohen “fakirë” e thjeshtë me rroga shteti, por që kanë vila miliona euroshe, drejtësia e re hesht.
Dhe nuk mjaftohen me një vilë apo pallat por kanë në pronësi disa të tilla. Mania e shqiptarit të papasur dhe ‘kothere’ dikur, për të dukur sa herë bie në para dhe që në një vend me drejtësi normale, nuk duhet asnjë përpjekje e madhe për të parë me sy të lirë se asgjë nuk shkon mes pasurisë së këtyre zyrtarëve të lartë dhe burimit të të ardhurave të tyre. Janë në përpjestim të zhdrejtë dhe me zhbalancime të tmerrshme.
Shqiptarët i shohin në çdo hap, mjafton të futesh në rrjetet sociale dhe të shohësh se pjesa më e madhe e atyre që shqetësohen për vazhdimin e pandëshkueshmërisë në këtë vend, flasin me saktësi shumë afër realitetit. Kuptohet dhe me emra, me shifra dhe vlera!
Vetëm drejtësia ka “mbyllur” rrjetet sociale, e me sa duket ka mbyllur edhe sytë për të mos u “ndikuar” nga opinioni, por ama nuk lë “cironkë” korrupsioni pa kapur, dhe për ta vënë para drejtësisë.
Meqë jemi tek peshqit, mu kujtua një histori e kohës së shkuar, kur një nga miqtë tanë më të mirë kishte dhe ai “huqet” e veta. Në zonën e thellë ku punonim, shumë të ri atëherë, vinte furnizim peshku dhe aty me raste. Teksa banorët kishin kërkesë vetëm për peshk të madh, dhe këtu futej ballgjëri, ai kërkonte peshq të vegjël, të cilët i rregullonte aty për aty, gjë që shkaktonte habi tek ata banorë të nderuar dhe të respektuar.
Shpjegimi i dhënë ishte se: Peshku i vogël e merr kripën (marinohet) më shpejt dhe më mirë, por dhe kur skuqet apo piqet mund të përpunohet më mirë nga organizmi dhe e thënë më thjeshtë, “bluhej” me gjithë kocka. Pa përjashtuar shijen dhe lehtësinë që të jep mungesa e ngacmimit të “halave” siç iu thonim ne në atë kohë dhe u themi në këtë kohë nga Mirdita.
Më erdhi në kujtesë kjo ndodhi pa rëndësi ndoshta për lexuesit, teksa gjatë këtyre ditëve është bërë një debat publik në lidhje me “kutin” që përdor drejtësia për marrjen në hetim dhe dhënien e gjykimit për dosjet e korrupsionit. Ku vihet re se drejtësia e re po merret me gjëra të vogla dhe as që u qaset dosjeve të rënda që i kanë kushtuar Shqipërisë jetë njerëzish, shkatërrim total për qytetarët shqiptarë, miliona e miliona euro abuzime me paratë e shtetit dhe në fund fare i kanë marrë “erzin” këtij vendi në sytë e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Nuk ka kaluar pa u vënë re akuza e ngritur nga SPAK për një ish zv.ministre e Brendshme, e cila për një çështje punësimi të pamundësuar dhe sepse kishte marrë “qyl” një arkë peshk, ku ky institucion drejtësie u organizua me të shpejtë për ta hetuar me themel, u dënua nga Gjykata e Posaçme “rrufeshëm” bazuar në dosjen e kopsitur nga SPAK, por dhe u denigrua nga të përhershmit që shfrytëzojnë këtë rast, nga radhët e opozitës. Nuk jemi që të mos dënohej, pasi ishte korrupsion në tentativë. Të merrte dënimin që meritonte,a q sa përmban kodi penal. Jemi dakord që korrupsioni është korrupsion, sado i vogël që është, duhet të penalizohet.
Por na habit shpejtësia rrufe me të cilën u evidentua, u hetua dhe u kopsit kjo dosje nën akuzat e marrjes si “ryshfet” të një arke peshk, çështje e cila mund të priste pasi kishte të tjera në radhë, ku janë shpërdoruar miliona euro dhe janë marrë jetë njerëzish. Kjo çështje s’kishte sjellë dëm në arkën e shtetit dhe personi që u dënua s’përbënte rrezik shoqëror apo mund të largohej nga vendi.
Pikërisht hetimi dhe dënimi me shpejtësi i ish.zv.ministres për një arkë peshk na kujton atë ndodhinë që peshku i vogël apo “cironka” kapet më lehtë dhe e gatuar mund të “bluhet” me gjithë kocka. Sikurse u “bluajt” nga Gjykata dhe Rovena Voda, personi në fjalë që ka qënë zv.ministre, pasi i “gatua” nga SPAK.
Ndërkohë, SPAK e Gjykata e Posaçme as nuk i hedhin sytë nga “luanët e detit”, “peshkaqenët” dhe “balenat” e korrupsionit, të cilët jo vetëm që janë aq të majmur me paratë e shqiptarëve, por i kanë hedhur rëndë paratë dhe për të rikthyer atë kohë kur kanë qeverisur, përmes futjes në dorë të partive politike të opozitës.
Nuk është rastësi që presidenti aktual Ilir Meta më 25 korrik, pikërisht vetëm një ditë pasi të dorëzojë çelësat e Presidencës, do të rimarrë dhe zyrtarisht drejtimin e LSI-së. Këtë e kanë konfirmuar të gjithë në këtë parti, madje dhe kryetarja e deleguar Monika Kryemadhi, njëherësh bashkëshorte e Presidentit aktual, e cila lajmëroi thirrjen e Konventës Kombëtare të kësaj partie në këtë datë.
Se cilat janë akuzat ndaj Ilir Metës, i kanë lexuar dhe dëgjuar të gjithë gjatë tërë këtyre viteve. Madje dhe nëse tentojnë të harrojnë, nuk ka munguar t’ua kujtojë ish kryeministri Sali Berisha, sa herë që idhnohej me Ilir Metën. Madje e ka filluar akuzën që nga koha kur Meta ka qënë kryetar i FRESSH dhe nënkryetar e sekretar i marrëdhënieve ndërkombëtare në PS, kur në “delegacionet” e të rinjve socialistë kishte nga mosha 1 vjeç e deri në moshën 70 vjeç për të fituar azil politik kundrejt pagesës, “pagesat” për vagonët falas austriakë, vjedhja e floririt të Kërrabës, abuzimi me rrugët kur ishte kryeministër, kapja me bllok në dorë duke kërkuar ryshfet dhe vende pune për njerëzit e tij, afera CEZ-DIA dhe abuzime të tjera që në një vend normal me drejtësi normale nuk i ngre kandari.
Dhe si për t’i vënë “vulën”, jeton në vilën e tij në Gjirin e Lalzit, vilë mbi 3 milionë euroshe me banjë dhe për macen Sasha, apo kur është në Tiranë jeton në disa pallate të tij. Kjo është pjesa e dukshme. Askush nga drejtësia nuk ka dalë dhe të marrë përsipër hetimin e tij apo për të pyetur dhe për vete se si i ka bërë kaq shumë para me dy rroga shteti, me dy fëmijë që shkollohen në shkollat më të shtrenjta në Londër dhe shpenzime të tjera. S’del as për pastrueset e viles.
Po kështu Sali Berisha, dhe ai me vilë në Lalz, por dhe me pallat në Tiranë dhe para që nuk ua di fundin e nuk ua di ngjyrën madje, sepse nuk e fut dorën në xhep kurrë. Klientela e krijuar gjatë qeverisjes ka menduar dhe mendon për të. Madje dhe duke i paguar rikthimin në krye të PD.
Por dhe heshtjen e drejtësisë për “Gërdecin”, Rrugën e Kombit, “21 janarin”, sërish aferën CEZ-DIA, “gjobitjen” ndaj bizneseve dhe bëma të tjera, që kanë kushtuar jetë njerëzish dhe humbje të miliona eurove nga arka e shtetit. As Berishës, drejtësia e re nuk i afrohet. Shpresojmë që të mos jenë trembur akoma më tej nga kërcënimi i sotëm i Berishës, teksa tha se SPAK është i destinuar të mbetet në gjumë dhe se dosja do të dështojë në mënyrë spektakolare.
Po. SPAK po heton incerneratorët, dhe mirë po bën. Pavarësisht se rrezikon që kjo akuzë të katandiset në atë far feje, sa të dalë në skenë vetëm diferenca e fitimit të munguar, pikërisht për këta që përmenda më sipër, të cilët ishin shefat realë e të të akuzuarve. Të gjithë e dinë si funksionon një koalicion dy apo më shumë partiak. Ministritë ku kanë ministra konsiderohen si “venome” të kryetarit të këtyre partive, nga piramida në bazë, deri dhe tek sanitarja.
Të mundohet sa të dojë LSI t’ia “faturojë PS-së, këto dikastere ishin tërësisht në duart e saj, sa kohë kishin ministrin aty si përfaqësues. Madje ky ka qënë kushti për të qënë në koalicion, ndryshe nuk bëhej qeveria, ose rrëzohej nëse shkelej marrëveshja nga partia më e madhe. Do të shohin si do të jetë fundi i kësaj historie. Këtu do jemi.
Por kjo nuk na pengon t’i bëjnë një pyetje të thjeshtë SPAK, jo për presion, por thjeshtë për të qetësuar shpirtin dhe për të shpresuar tek drejtësia e re dhe dhënia fund e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në këtë vend: Ka mbaruar punë me “arkën e peshkut” dhe me “cironkat” e tjera tani dhe kur do të “hidhet” andej nga Gjiri i Lalzit por dhe në të gjithë vijën bregdetare, ku janë “tretur” paratë e shqiptarëve për të kapur ndonjë “peshkaqen” apo ndonjë “balenë” të korrupsionit, pasi nuk do dalë duarbosh. E garantojmë, nëse dëshiron do të “gjuajë” rëndë.
Vetëm vullnet duhet nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, por dhe të kuptojnë se “balena” s’është peshk por gjitar, i vetmi që jeton tërësisht në ujë. Mjafton të përdoren mjetet e duhura që të kapet, por jo me “rrjetë cironkash”, pasi e shqyejnë rrjetën.
Të shfrytëzohet dhe fakti se “balenat” kur humbasin “mendjen”, orientimin apo dalin nga “binarët” i drejtohen bregut dhe ngecin në cektinë. Thjeshtë, drejtësia e re duhet të guxojë e të shkojë në Lalz, pasi “balenat” e korrupsionit, për shkak të shpalljes “non grata”, futjes në listë si “non grata” nga SHBA si dhe abandonimit total nga partnerët tanë, kanë dalë nga “binarët”, e kanë humbur orientimin e kanë “ngecur” në cektinë. Duhet vullnet vetëm. Duhen dhe pak këllçe!