Nga Neda Balluku/ Xhokoviçi, e quan çmenduri ndalimin nga ana e Wimbledon, të tenistëve nga rusia (me të vogël kam vendos ta shkruaj përherë) dhe bjellorusia (po ashtu). Ai e quan veten, “fëmijë lufte” ndaj dhe dënon luftën në Ukrainë. Sepse, sipas tij, e kujton shumë mirë bombardimin e NATO të Beogradit. Për më tepër, shprehet se “të gjithë e dimë çfarë ndodhi në Serbi në 1999.” Dhe mbi këto argumente, e quan çmenduri bllokimin e sportistëve, sepse mbi të gjitha; kur politika ngatërrohet me sportin, gjërat nuk shkojnë mirë!

Duke e nisur nga fundi, Xhokoviçi duhet të kuptojë se e para; s’është politika që ngatërrohet me sportin. Është politika e putin që ngatërrohet me jetën e njerëzve dhe territoret e një shteti sovran.
E dyta; këto ndalime të botës sportivo- kulturore ruse, bëhen për efekt të presioneve të brëndshme që rusët kudo ku ndodhen, duhet të bëjnë mbi qeverinë e tyre, se jeta nuk mund të jetë më e njëjta dhe të kuptojnë se dëmin, po ja u shkakton edhe atyre po aq sa Ukrainasve, vetë shteti i tyre.

E treta; Po, e dimë të gjithë çfarë ndodhi në Serbi. Ishte përpjekja e fundit dhe përgjigja me të njëjtën monedhë (meqë millosheviçi mirë që nuk pranonte të hante shqip, por nuk hante hante as serbisht) ndaj masakrës që po bënte në Kosovë. Dhe sado armët janë të njëjtja, difensivat ekzistojnë për shkak të ofensivave.

E katërta; meqë është vetë fëmijë lufte dikur, duhet të jetë nga ana e fëmijëve të luftës sot, që po humbin jetën në Ukrainë. Por dukshëm nuk është! Sepse rraketat e topit, kurrë nuk mund të jenë më të rëndësishme se jeta e atyre e fëmijëve. Dhe ky qëndrim i tij gjoja sportiv, e tregon qartë se nuk e mendon kështu!

Askush nuk ka asgjë kundër popullit të pafajshëm rus, por në pamundësi të ndërhyrjes ushtarake e sidomos për të shmangur Luftën e Tretë Botërore, sanksionet të çdo forme janë e vetmja mënyrë për të izoluar vladimir putin. Që edhe atij, dukshëm, për popullin e tij, nuk i intereson. Dhe të jesh kundër sanksioneve, të bën të jesh në anën e agresorit. Xhokoviç është në anën e agresorëve të sotëm dhe dikurshëm. Që një ditë të jetë kampion në jetë, si në fushë, mbase duhet t’ja nisë nga librat e historisë. Por jo të asaj historie me një sy mbyll, që ka mësuar deri më sot.