Një raketë anti-ajrore e prodhimit britanik është përdorur, sipas disa raporteve, për të rrëzuar për herë të parë një helikopter rus në Ukrainë.
Times of London thotë se një video e përhapur në internet tregon sistemin e raketave me shpejtësi të lartë Starstreak duke goditur një helikopter ushtarak rus Mi-28N mbi rajonin e Luhanskut të Ukrainës lindore.Videoja, origjinalitetin e së cilës Insider nuk mund ta konfirmonte, duket se tregon raketën në momentin që godet helikopterin duke bërë që bishti i tij të këputet.
Starstreak është sistemi raketor i lëvizshëm më avancuar i Britanisë e cila dërgoi një ngarkesë në Ukrainë në muajin mars së bashku me armë të lehta anti-tank të gjeneratës së re, NLAW. Starstreak drejtohet në objektivin e saj nga tre sinjale me rreze lazer, sipas The Times. Ajo mund të lëshohet edhe nga shpatulla e të godasë objektiva deri në 4 milje larg.
Për të shprehur mirënjohjen e tyre për armatimet britanike, dy familje ukrainase kanë bërë një gjest të veçantë. Dy foshnjeve të lindura këto ditë u janë vendosur emra të raketave angleze tokë-ajër, njëri ishte djalë dhe është quajtur Yan Javelin, ndërsa tjetra është vajzë dhe e kanë pagëzuar si Javelina.
Emrat e pazakontë u regjistruan në Vinnytsia Oblast, sipas ish-zonjës së parë ukrainase Kateryna Yushchenko, e cila e cilësoi këtë një lloj falenderimi për armët perëndimore që janë dërguar në Ukrainë.