Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Kongresin e Partisë Socialiste, vuri në dukje dy tipare shumë të rëndësishme të qeverisjes: “E para shpirtin e përkujdesjes për njerëzit më në nevojë, duke mos lënë askënd vetëm në ditët edhe më të vështira. Dhe e dyta aftësinë e konfirmuar në dy luftra resht edhe me tërmetin edhe me pandeminë, për t’i kthyer krizat në gjeneratorë fuqish të reja dhe për të dalë edhe më të fortë nga krizat, sesa krizat na gjejnë kur vijë.”

Më tej Rama shtoi se: “Tërmeti dhe pandemia sprovuan karakterin dhe aftësinë tonë. Ne ja dolëm edhe me njërën edhe me tjetrën.”

“Shtëpitë e reja, lagjet e reja, shkollat e reja, kopshtet, çerdhet e reja, spitali i ri në Kurbin, qendrat e reja shëndetësore po i shtohen njëra pas tjetrës një mozaiku shembullor të një rilindjeje të vërtetë, pas një rrënimi katastrofik për mijëra e mijëra familje. Kriza e tmerrshme e humbjes së gjithçkaje, apo shumëçkaje apo dhe e dëmtimit të diçkaje që asnjëherë nuk është e vogël në një familje me të ardhura të ulta”, u shpreh Rama

Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se: “Të gjitha këto të lidhura me buxhetet e 50 mijë familjeve u kthye në një bekim për ta, dhe përtej atyre që humbën jetën dhe që nuk mund t’i kthejmë dot në jetë, për të gjithë të tjerët ka nisur dhe po nis një jetë e re shumë herë më e mirë se jeta që kishin përpara tërmetit.”