Banorët në Zall-Herr, të cilët mbetën të pastrehë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, do të sistemohen në një lagje të re, të urbanizuar me shtëpi shumë herë më të mira se më parë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky bllok i ri banimi, ku do të strehohen 49 familje.
Ndërkohë, kryeministri informoi se deri tani, 150 familje në Zall-Herr e kanë rinisur jetën duke u ringritur nga tërmeti.
“Këto janë banesat e reja në Zall-Herr të Tiranës edhe për 49 familje që së shpejti do të kenë strehën e re. Deri tani 150 familje në Zall-Herr e kanë rinisur jetën duke u ringritur nga tërmeti”, tha Rama.
Familjet e prekura nga tërmeti në Zall-Herr, do të marrin në pronësi shtëpitë e reja, në një lagje të ndërtuar posaçërisht për ta, me infrastrukturë dhe shërbime model, në tokë që është në pronësi të Bashkisë së Tiranës.
Përpos strehimit të sigurt dhe me standarde bashkëkohore për banorët e zonës, investimi parashikon rehabilitimin e plotë të zonës, duke përfshirë infrastrukturën nëntokësore, ashtu edhe atë sipërfaqësore me rrugë, trotuare, ndriçim, etj.