Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në shkollat e Tiranës janë hapur 10 kabinete të reja dentare.
“Hapen 10 kabinetet e reja dentare në shkollat e Tiranës për të filluar programin e kujdesit dentar për fëmijët nga 6-14 vjeç”, shprehet ai.
Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informoi për nisjen e Programit të Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç në shkolla.
Programi i ri i dentistrisë në shkolla vjen si një nismë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, vetëm pak ditë pas nisjes së një tjetër programi për fëmijët, që u miratua në Këshillin e Ministrave.
Programi i Parë Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, që përfshin pa dallim të gjithë fëmijët, nga të porsalindurit e deri në moshën 14-vjeçare, për kryerjen e depistimit apo kontrollit periodik të syve falas. Programi do të shtrihet në nivel kombëtar në njësitë vendore të kujdesit shëndetësor.
Programi i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç fillon në 10 shkolla të Tiranës, më konkretisht në shkollën “Jeronim de Rada”, “Shkolla e Kuqe”, “Vasil Shanto”, “Mihal Grameno, “Kushtrimi i Lirisë”, “Bajram Curri”, “Lasgush Poradeci”, “28 Nëntori”, “Halit Caka” dhe “Qazim Turdiu”, ku janë ndërtuar njësi dentare të reja, duke krijuar kabinetet model të ofrimit të shërbimit dentar për fëmijët në shkolla. Më shumë se 11 mijë nxënës në këto 10 shkolla të kryeqytetit do të jenë përfituesit e parë të këtij shërbimi, për t’u shtrirë më pas në të gjithë vendin.
Ky program do të ofrojë kontroll periodik, që synon edukimin shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve, si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrimi i gurëzave si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta. Ky investim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vjen në kuadër të programit të ri “Shëndeti në shkolla”, që mbështet shëndetin dhe mirërritjen e fëmijëve.