Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Urgjenca Kombëtare përbën sot një prej shembujve më kuptimplotë të një transformimi në shëndetësi që vazhdon çdo ditë.

Në fjalën e tij në Kongresin e Partisë Socialiste, Rama tha se “Urgjenca Kombëtare me flotën e saj të kompletuar sipas standardeve më të larta bashkëkohore me sistemin e saj të digjitalizuar me qendrën e saj teknologjike të administrimit dhe regjistrimit të 625 mijë thirrjeve në vit, ku çdokush mund të verifikojë komunikimin mes atij që thërret dhe urgjencës që përgjigjet dhe askush nuk mund të hedh akuza në ajër, si dhe organizimit dhe mbikëqyrjes në kohë reale të 140 mijë misioneve urgjente vjetore në banesë, përbën sot një prej shembujve më kuptimplotë të një transformimi në shëndetësi që vazhdon çdo ditë, të cilin pandemia e përshpejtoi falë kundërpërgjigjes tonë adekuatë falë një agresioni të befasishëm”.

“Janë të panumërt shembujt e transformimit të shëndetësisë, por ky mandat është vendimtar për diçka themelore për një ndryshim që është pjesa e rëndësishme e munguar e stërës dhe që i pengon shumë njerëz ta pranojnë gjithë pjesën tjetër. Jetësimi i autonomisë spitalore, i cili është kusht i domosdoshëm për ta zhbërë korrupsionin ende problematik të bluzave të bardha e duke pasur këtë infrastrukturë të re që vazhdon të ngrihet dhe një sistem shërbimi autonom që do të thotë duke e kthyer kërkesën për rryshfet në një fenomen komplet margjinal”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “ne do të themi me krenari, që kemi bërë një detyrë historike dhe kemi shkruar një tjetër histori për të cilën do të jemi krenarë gjithë jetën, për shëndetin e shqiptarëve”.