Kryeministri Edi Rama ka nisur sot takimet zyrtare të vizitës dyditore në Gjermani, vizita e parë, pas zgjedhjes së Kancelarit të ri gjerman Olaf Scholz.

Rama ka publikuar videon e takimit me kryetaren e Bashkisë së Berlinit, Franziska Giffey, në zyrën e saj në Bashki, në godinën më shumë se 100 vjeçare, pjesë e Gjermanisë Lindore, ku ka qenë edhe vendndodhja e bashkisë së mëparshme të Berlinit lindor.

Në nisje të takimit, Kryeministri vizitoi sallën e armëve, ku u ftua të nënshkruajë Librin e Artë të qytetit të Berlinit.

Rama i ka rrëfyer kryebashkiakes Giffey se kjo është hera e dytë që ai viziton Bashkinë e kryeqytetit gjerman. Hera e parë e tij ka qenë kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

“Kam qenë njëherë këtu, po shumë kohë më parë kur kam qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës,” u shpreh Rama.

“Unë gjithmonë them që kur je njëherë kryetar bashkie mbetesh gjithmonë i tillë se ndihesh përherë përgjegjës për popullsinë,” u shpreh Franziska Giffey, e cila shtoi se eksperiencën e saj e nisur si një prej kryetareve të njësive bashkiake të Bashkisë më të madhe në vend.

Kryebashkiakja e Berlinit i dorëzoi Ramës një dhuratë. Po ashtu edhe shefi i qeverisë shqiptare i dorëzoi një model artizanal të këpucëve tipike shqiptare, të punuara me dorë.

Në Berlin Kryeministri Rama ka takuar edhe një fans të veprave të tij të artit, të cilit i dha një autograf.

Kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëron do zhvillojnë gjatë ditës së sotme një sërë takimesh të rëndësishme, si dhe vizita në mjediset e disa prej kompanive të mirënjohura në Europë.