Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “njohja e patentave nga Gjermania është një lloj certifikate e rëndësishme për sa i përket procesit të shtetformimit, shtetndërtimit dhe të shtetfunksionimit në këtë sektor”. Në një bashkëbisedim me gazetarët nga Berlini, Rama foli për marrëveshjen që pritet të nënshkruhet sot për njohjen reciproke të patentave me Gjermaninë.
Kryeministri vlerësoi se kjo është marrëveshje jashtëzakonisht domethënëse”.
“Është domethënëse jo thjesht për faktin që më në fund të gjithë shqiptarët që banojnë këtu, apo që do të kalojnë në rrugët e këtij vendi me automjetet e tyre do të kenë patentën shqiptare të respektuar plotësisht, por është domethënës për faktin e një transformimi të madh që ka ndodhur në Shqipëri pasi njohja e patentës lidhet me të gjithë procesin e nxjerrjes së një patente dhe me besueshmërinë e procesit”, shtoi Rama.
Rama shtoi se “kur ne e kemi ngritur këtë çështje në fillim, pala gjermane ka qenë shumë skeptike sepse e njihte shumë mirë realitetin në Shqipëri, por kur inspektorët e Ministrisë së Transportit të Gjermanisë kanë ardhur në Tiranë kanë ndryshuar komplet opinion duke parë se çfarë transformimi ka ndodhur të gjithë strukturës së shërbimit të transportit”.
“Kemi marrë vërtet komplimente të jashtëzakonshme nga pala gjermane, sepse realisht kemi krijuar një sistem ultra modern në shërbimet e transportit ne Shqipëri, gjë që nuk mund të imagjinohej vetëm disa vite më parë”, tha Rama.