Mbi 8000 banorë në Ishëm po marrin shërbim më të mirë shëndetësor falë infrastrukturës moderne dhe të mirë-pajisur në Qendrën Shëndetësore 24 orëshe të kësaj njësie administrative.
Qendra Shëndetësore ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe u ndërtua prej themeleve pas shembjes së godinës së vjetër.
Kryeministri Edi Rama ka publikuara foto nga Qendra Shëndetësore në Ishëm para dhe pas rikonstruksionit.
“MIRËMËNGJES, dhe me një tjetër qendër shëndetësore, atë të Ishmit, e ringritur nga rrënojat e tërmetit, me standardet më të mira për 8000 banorët e kësaj zone dhe turistët që do të jenë më të shumtë këtë sezon veror, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Në kuadër të programit të rindërtimit është mundësuar që qendrat shëndetësore të dëmtuara, të rindërtohen me standarde bashkëkohore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se po vijohet me fazën e dytë të rehabilitimit të të gjithë qendrave shëndetësore dhe ambulancave që ende nuk janë prekur nga faza e parë e programit të 300 qendrave shëndetësore, për t’i finalizuar brenda këtij mandati.
Ndërkaq kanë nisur përgatitjet për të riorganizuar punën për hapjen e 29 qendrave shëndetësore verore. Edhe qendra shëndetësore Ishëm i përgjigjet shërbimeve të kujdesit shëndetësor për të gjithë turistët, përveçse banorëve në zonën e Ishmit dhe të Lalzit.
Qendra e re shëndetësore e Ishmit është ndërtuar me mbështetjen e qeverisë Zvicerane, nëpërmjet Projektit Shëndet për të Gjithë, në kuadër të Programit të Rindërtimit.