Në raportin e fundit të Freedom House “Nations in Transit”, Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë, në 7 kriteret ku e bazon vlerësimin e saj kjo organizatë.
Kjo do të thotë se vendi ynë nuk ka pësuar përkeqësim në fushat që merren në analizë, nga qeverisja demokratike, te shoqëria civile, sistemi gjyqësor apo pavarësia e shtypit.
E kundërta ka ndodhur me vënde të tjera të rajonit, ku ka një rënie të ndjeshme dhe përkeqësim në disa nga kriteret mbi të cilat organizata bën analizën.
Kështu, tabela krahasimore tregon se teksa përqindja e demokracisë në Shqipëri shënon 46 %, pas saj mbetet këtë vit, Bosnje Hercegovina me 38 %. Në Bosnje, ka një përkeqësimin dhe për pasojë rënie në pikë, situata me demokracinë në qeverisjen kombëtare dhe situatën e shoqërisë civile.
Në kohën kur Shqipëria nuk shënon përkeqësim të situatës për asnjë komponent, Serbia, krahasuar me një vit më parë, ka një përkeqësim të ndjeshëm sa i takon situatës me korrupsionin në vend, pavarësisë së medias dhe rolit të shoqërisë civile.
Ndërsa Mali i Zi për këtë vit ka shënuar rënie të theksuar në kriterin për pavarësinë e gjyqësorit.