Presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron, në orët e fundit përpara nisjes së votimeve të raundit të zgjedhjeve presidenciale, e ka thelluar avantazhin në sondazhe përballë rivales së frontit të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.
Megjithatë, ndryshorja as që i afrohet asaj të vitit 2017, kur Macron e mundi Le Pen-in me 66% të votave kundrejt 34% të rivales.
Në sondazhet e fundit të kryera, kreu i Elysee-së ndodhet në shifrat e 55.5% deri në 57.5%. Nga ana tjetër, Le Pen pritet të marrë nga 42.5% deri në 44.5% të votave.
Nëse kandidatja e të djathtës ektreme e humb sërish luftën e saj për t’u ngjitur në krye të zinxhirit politik francez, nuk do të ishte një habi e madhe.
Por, fakti se ajo po arrin çdo zgjedhje të zhvilluara të fitojë terren tek votuesit, tregon qartësisht se është në rrugën e duhur për të “normalizuar” qasjet e partisë së saj tek populli francez.
Në terma të votuesve, pjesëmarrja e përgjithshme pritet të jetë midis 72% dhe 74%, gjë që do t’i bënte këto zgjedhjet me pjesëmarrjen më të ulët në Francë prej vitit 1969.
Zgjedhjet e vitit 2017 nxorën në votime 74.56% të francezëve. Këtë herë gjithsesi, duke pasur parasysh edhe fundjavën e Pashkëve ortodokse, niveli i abstenimit mund të jetë edhe më i lartë se sa mendohet.