Nga Jakin Marena
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë më se njëherë se me Sali Berishën në krye të PD nuk do të ketë asnjë marrëdhënie. Uashingtoni në këtë qëndrim është i prerë e nuk cedon.
E kanë thënë që në krye të herës, kur panë se Sali Berisha, ndonëse kishte dhënë dorëheqjen nga kryetar i PD, pa asaj humbjeje shokuese në zgjedhjet e qershorit 2013 përballë Edi Ramës, ishte sërish aty. Madje më keq akoma, në prapaskenë, ku hidhte gurin dhe fshihte dorën.
Nuk kishte aspak nevojë Lulzim Basha, i emëruar në postin e kreut të PD nga “babai” i tij politik, që të zbërthehej nëpër dyert e ambasadave, që të tregonte se Berisha nuk e pyet dhe se është ai dhe njerëzit e tij drejtojnë Partinë Demokratike realisht. Aspak.
Vetë sjellja e Bashës karshi vendimeve të mëdha politike e tregonte më së miri këtë. Sa për shkak të paaftësisë dhe pafuqisë proverbiale të ish kryetarit tashmë të PD, aq dhe për shkak të autoritetit të padiskutueshëm të Berishës, e tregonte këtë.
Sa herë që ishte në takime të rëndësishme për të marrë vendime madhore me ambasadorët e vendeve aleate strategjike të Shqipërisë, apo ndonjë dialog me kundërshtarin politik Edi Rama, gjithnjë takimi përfundonte në dy faza.
Basha, si në sportin e lojrave me dorë, në kulmin e bisedës kërkonte “disa minuta pushim”. Jo për të marrë veten, apo për të kosoliduar mendimet dhe për të marrë një vendim përfundimtar, por kaq i kushtonte një telefonatë me Doktorin, apo një “vrap” të zyra e tij ngjitur me RTVSH, që të merrte verdiktin përfundimtar për gjithçka.
Mos kujtoni se Basha vendimin për të hyrë në “çadër” e mori me kokën e vet. Eshtë dembel funksional, dhe sa energji ka harxhuar në atë projekt të dështuar politik, nuk i ka harxhuar në tërë jetën e tij, ku ka përfituar gjithnjë “qyl”.
Basha mori mendjen e Berishës, madje tentoi ta imitonte pa sukses “babain” e tij politik në strategjinë e radikalizimit të politikës shqiptare, i “mëkuar” dhe nga Ilir Meta dhe zbuluar si strategji nga Monika Kryemadhi, se “Rama e ha presionin, mjafton t’i japësh një kolpo dhe ai thyhet. Likja (Meta) e ka sjellë dhe mbajtur atë me një mijë siklete në pushtet”.
Dhe Basha tentoi të trashë zërin, të bëjë si i fortë, dhe si përfundim, duke qënë në një ‘enë’ të fortë, zëri iu mpak, iu hollua ndërsa të gjithë e dinë se si përfundoi, në një takim kokë me kokë me Ramën për katër orë pas mesnate dhe nxjerrë si produkt qeverisjen me teknicienë më 2017.
Mos kujtoni se Basha mbylli telefonin. Nuk guxonte t’ia mbyllte Berishës, pasi i njeh ata që e rrethojnë Doktorin, që me një fishkëllime e nxirrnin nga selia e Kuvendit të Shqipërisë ku ishin “ngujuar” bashkë me Ramën.
Berisha ka qënë “non stop” në komunikim me Bashën dhe marrëveshja e majit 2017, është bërë me lejen e tij të plotë. Tjetër se çfarë deklaron Berisha tani, duke pretenduar se ka qënë dorëjashtë në këtë marrëveshje. Madje dhe akuzon Bashën. Berisha komunikon verbalisht, s’lë gjë të shkruar, për ta përgënjeshtruar më pas.
Për hir të së vërtetës Berisha kërkoi të imitonte “mot a mot” sjelljen e tij politike të vitit 2002, kur iu imponua ish kryetarit të PS dhe ish kryeministrit Fatos Nano për marrëveshjen e Presidentit. Asokohe, thjeshtë dhe vetëm me një dalje televizive të përbashkët, një shtrëngim duarsh dhe një debat televiziv të mirëkalkuluar arriti t’i marrë gjysmën e institucioneve të sigurisë.
Kujtojmë se përpos ish presidentin Alfred Moisiu që e propozoi PD si kandidaturë të vetën, pavarësisht se Fatos Nano ishte kandidatura kryesore, mori dhe gjysmën e drejtimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, nënkryetarin e asaj kohe. S’po përmendim emra. Pa llogaritur që mori shumicën e drejtuese të sistemit të drejtësisë, dhe nisi revanshin e “bashkëqeverisjes” me Fatos Nanon. Dhe këtu si për koncidencë pati mbështetjen e Ilir Metës, i cili asokohe ishte në PS dhe përmes aleancave fluide e mjeteve të tjera, përfshirë dhe monetare, arriti që të zeronte mundësinë e Nanos për të hyrë në Presidencë si President. E donte ndarjen e “tortës” vetëm me Berishën.
Pikërisht këtë skemë pati në kokë Berisha, teksa përmes udhëzimeve që dha për Lul Bashën e ngujuar me Ramën në maj 2017, mbështeti idenë e një qeverisje të përbashkët me PS. Për të përsëritur të njejtën skemë të vitit 2002, dhe krijuar idenë se po bëhet prova “gjenerale” e PD për ardhjen në qeverisjen e vendit. Për këtë qëllim kërkoi ministrinë e Brendshme, ministrinë e Drejtësisë, Ekonominë e Financat, Energjinë, por dhe institucionet e rëndësishme dhe që kishin lekë, që nga KESH, OSHEE e deri tek Hipoteka dhe agjencitë e punësimit.
Por përballë kishte Edi Ramën që e kishte “syrin kokërr” për të vijuar qeverisjen e vendit, i cili në ndryshim nga Nano që besonte shumë, por dhe ishte një liberal që luante dhe me fuqinë që menaxhonte siç ishte vota e shumtë e PS, kreu aktual socialist nuk ia kishte besën Berishës. Dhe ngjarjet rrodhën ashtu sikurse se dinë të gjithë: Edi Rama mori shumicën absolute në Kuvend për të qeverisur dhe vetëm.
Dështimi i shkoi Bashës, ai ishte kryetar zyrtar i PD, ndërsa Berisha u përball me postulatin e vjetër sa bota: se uji nuk kalon gjithmonë në të njejtat brigje. Dhe mbi të gjitha Rama kishte mbështetjen nga SHBA, ndërsa Berisha e Basha e kishin shpallur thuajse armik aleatin tonë të madh, ndryshe nga Nano në vitin 2005, i cili ishte në qendër të goiditjes së Uashingtonit, ndërsa PD përkrahej për “politikën e duarve të pastra” që po promovonte me të madh dhe po e përdorte si “kalë beteje” për të ardhur në pushtet. Që nuk u realizua asnjëherë.
Që të kthehemi te argumenti, pas dy vitesh Basha e Berisha u kujtuan se opozitës i ishin vjedhur votat, situata precipitoi në radikalizimin e lëvizjes së opozitës, djegien e mandateve e braktisjen e Kuvendit, sulmin ndaj institucioneve dhe në fund bojkotin e zgjedhjeve të përgjithshme vendore, rast i pangjashëm më parë. Berisha dhe Basha ishin në një vijë për këtë strategji të gabuar.
Rezultati ishte katastrofë, opozita humbi dhe zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke shënuar qëndrimin për herë të tretë radhazi në opozitë, dhe dhënë shansin Ramës që të marrë tre mandate qeverisje rresht, si asnjëherë tjetër në Shqipëri. Pavarësisht se opozita pati ndihmën e pakursyer të Metës që doli nga ‘kostumi’ i Presidentit dhe u involvua hapur në fushatë. Madje duke kërcënuar dhe bërë thirrje për kapjen e sopatave dhe sfurqeve kundër qeverisjes.
Megjithatë, binomi Berisha-Basha do të vijonin si “loli e coli” të qeverisnin opozitën, nëse ky i fundit të mos merrte vendimin për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar i PD. Vendim që erdhi pas presionit amerikan, i cili më parë kishte shpallur familjarisht liderin historik të PD “non grata” në SHBA. Pikërisht atëherë Basha bëri një punë, atë që nuk e kishte bërë askush në PD, përjashtoi Berishën nga grupi i PD, parti të cilën e konsideronte pronë të tij. Dhe kështu ishte sjellë me të në 30 vite.
Pjesa tjetër është histori, Berisha përmes ‘foltoreve’, akuzave dhe kërcënimeve arriti të aktivizonte bazën e PD dhe të merrte realisht partinë. Për t’ia vënë vulën me zgjedhjet e 6 marsit, ku “Poli i Lirisë”, një bashkim i PD me LSI e Ilir Metës, nxori PD-në zyrtare të Bashës parti të tretë, në kufijtë e 13 përqidshit, si dhe me vendimin e gjyqtarit Agron Zhuri që njohu kuvendin e 11 dhjetorit dhe i dorëzoi PD-në Berishës.
Basha dha dorëheqjen, gjithçka ndryshoi për PD, që luante “simfoninë” e Berishës. Por nuk kishte ndryshuar aspak SHBA. Që sa herë i jepej rasti shprehej kundër qëndrimit të Berishës në krye të opozitës, madje dhe duke përkrahur një lider të rastësishëm, siç është kryetari i grupit parlamentar të PD dhe kreu i komanduar i kësaj partie Enkelejd Alibeaj. Që tashmë është në pritje të vendimit të Apelit për ta rikthyer situatën në PD në pikën e e nisjes.
E kemi thënë dhe më herët, me mendimin tonë janë bashkuar pjesa më e madhe e opinionistëve dhe panelistëve, se Berisha e di si dreqi se nuk mund të jetë kryetar i PD. Madje nuk e do fare këtë post, pasi përballë ka dy sfida të mëdha: zgjedhjet vendore pas një viti, dhe ato parlamentare pas tre vitesh. Dhe sipas statutit të miratuar nga vetë ai, humbja i faturohet kryetarit, dhe duhet të japë dorëheqjen.
E di dhe vetë Berisha se PD me të kryetar PD nuk vjen kurrë në pushtet, madje nuk kap as votat e 25 prillit, por dhe se nuk pinë ujë më justifikimet se vota u vodh apo u ble nga Edi Rama. Eshtë “film” i parë shumë herë, madje ka shërbyer dhe si bazë për të sulmuar Bashën si të paaftë për të ruajtur votën.
Ndaj Berisha mendon që me Metën në krye të koalicionit PD-LSI, do të vinte zgjidhja që do ta ruante atë nga dështimi i dytë i radhës pas vitit 2013, do të shmangte faturën e humbjes dhe për pasojë do të vijonte përdorimin e PD si “mburojë” ndaj “non gratas” së SHBA por dhe përballjes me drejtësinë për akuzat e shumta që ka mbi kurriz.
Por dhe këtu përgjigjia e SHBA ka qëne fortë, e pandryshueshme dhe e qartë për këta dy liderë dhe për shqiptarët: Nuk do të ketë asnjë mbështetje që do të sillte “të shkuarën” sipas tyre në pushtet, ndaj duhet që e ardhmja të qeverisë dhe opozitën.
Sinjalet janë dhënë të forta në mënyrë deklarative por dhe përmes qëndrimeve që kanë mbajtur ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim që nuk lë rast pa përmendur vendosmërinë e SHBA për të goditur elementët e korruptuar dhe ata që kanë minuar demokracinë, e deri tek vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë, që bashkë me ambasadoren ua kanë “harruar” fytyrën Berishës dhe Metës. Ndonëse ky i fundit formalisht është President i Republikës.
Të gjithë zyrtarët amerikanë që kanë vizituar Shqipërinë këto vitet e fundit, në mënyrë të prerë kanë refuzuar takimin me Berishën po e po, por dhe me Ilir Metën, që është kryetar shteti. Nuk e kanë përfshirë fare në axhendën e takimeve as kur vizitoi Shqipërinë i dërguari i Uashingtonit Escobar dhe as tani që këto ditë viziton Shqipërinë zyrtarja e lartë e DASH.
Zëvendës Sekretarja për Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, vizitojnë Shqipërinë nm 28 prill.
Në 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë, Donfried do deklarojë mbështetjen e fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ndër arsyet kryesore të vizitës së përfaqësueses së DASH, qëndron Reforma në Drejtësi dhe lufta ndaj të korruptuarve.
Axhenda e Donfried, nis me një takim në kryesinë e kuvendit, me kryetarin e komanduar të PD, Enkelejd Alibeajn si dhe Sekretarin e Përgjithshëm Gazmend Bardhin dhe e nënkryetaren Jorida Tabaku. Por dhe me kryeministrin Edi Rama, ndërsa zyrën e Presidencës as që e ka përfshirë në axhendë. E kanë shmangur fare hapur Ilir Metën. Po ashtu as Berishën, megjithëse tashmë bën si kryetar, dhe deklaratat i jep nga ish zyra e Bashës dhe jo nga zyra e tij private.
Eshtë një sinjal i qartë i refuzimit të SHBA, që u ka vënë “vizën” si nominalisht ashtu dhe nëse janë në koalicion, sikurse janë tashmë formalisht dhe pas 24 korrikut kur Meta dorëzon mandatin e Presidentit dhe zyrtarisht. Përgjigjia e SHBA është e qartë: S’ka bashkëpunim me “aliazhin” PD-LSI, sa kohë në krye të këtij koalicioni të jenë Meta dhe Berisha.
Refuzim, që tashmë Berisha ka vendosur t’i përgjigjet me sulme ndaj ambasadores së SHBA Yuri Kim, ngritjen e peticioneve online kundër saj, një rast i pandodhur në asnjë vend të botës, duke treguar qartë se sa të pa shpresë janë ai dhe mbështetësit e tij. Kur fillon e përdor “fletërrufe” dhe peticione anonime, gjithçka ka mbaruar!
Megjithatë Berisha dhe Meta po tregojnë se janë të vendosur ta lënë vendin pa një alternativë qeverisëse për të aredhmen, vetëm e vetëm sepse janë në hall personal përballë aleatëve që i kanë refuzuar dhe drejtësisë, që njëherë do të bëhet drejtësi dhe do të marrë në dorë dosjet e mëdha të krimit dhe korrupsionit. E dhimbshme kjo, por është e vërtetë!