Programi i Rindërtimit në Kurbin ka hyrë në fazën e dytë, ku pas përfundimit të pallateve të para që strehuan 524 familje të mbetura në qiell të hapur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, tashmë po vijon intensivisht puna për bllokun e dytë të pallateve. Kryeministri Edi Eama e ka ndarë vetë lajmin duke theksuar se investimi i pallateve që pritet të strehojë 200 familje të tjera në Laç është financim i buxhetit të shtetit.
“Pas dorëzimit të 524 apartamenteve të reja në Zonën 1/1 të qendrës së re të Laçit, vijon me financim 100% nga buxheti i shtetit dhe ndërtimi në Zonën 1/2, ku brenda vitit do të strehohen 200 familje,” shkruan Rama.
Zona 1 e lagjes së re në Laç, është një financim i qeverisë turke, ku janë ndërtuar 13 banesa kolektive, 26 hyrje pallatesh, 524 apartamente, 25 njësi shërbimi dhe 380 vende parkimi. Gjithashtu, zona 1 është e pajisur edhe me një qendër tregtare që ka 12 njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve evropiane, një kënd lojërash dhe hapësira të gjelbra midis pallateve.
Ndërkohë, zona 2 e lagjes së re të Laçit është financuar dhe menaxhuar nga qeveria shqiptare, ku është projektuar ndërtimi i 10 banesave kolektive me rreth 200 apartamente.