“Sami Frashëri”, një prej shkollave ikonike të Tiranës, në 60-vjetorin e saj, do të jete gati të presë ceremoninë e diplomimit për maturantët e këtij viti në godinën e re, të rindërtuar pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Së bashku me nxënës, mësues dhe drejtues të kësaj shkolle, që pritet të rinisë zyrtarisht procesin mësimor në shtator, kryebashkiaku i Tiranes, Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punës për ringritjen e godinës, e cila, siç tha ai, është edhe më e bukur se në renderat 3D.

Veliaj: Kush kishte dyshime, kush u var tek kangjellat për të politizuar edhe ndërtimin e “Samiut”, sigurisht sot duhet ta shohë këtë kryevepër, që ka dalë edhe më bukur se sa në render. Premtimi ynë, në këtë 60-vjetor të shkollës “Sami Frashëri” është se ceremoninë e diplomimit do ta bëjmë në godinën e re, kurse shkolla zyrtarisht hapet në shtator, me vitin e ri mësimor. Jam shumë i lumtur si kanë ecur punimet dhe realisht do të jetë një bizhu, jo vetëm në trupin e Tiranës, por edhe në stofin e arsimit në Shqipëri,” u shpreh kreu i Bashkisë, Veliaj.

Duke u nisur edhe nga prania e stafit mësimor, Veliaj hodhi idenë e kujtimit të brezave të “samistëve”.

Veliaj: Me drejtoreshën po mendojmë krijimin e një klubi të ‘alumnive’ që janë diplomuar te “Samiu”, madje me këto ambiente, mund të bëjmë edhe një zonë muzeale. Besoj unë e bëra pjesën time për shkollën, por do duhet që secili që ka mësuar te “Samiu”, nëse mundet, të japë një dorë. Nëse mendojmë gjëra të ndryshme politikisht, të paktën të mos na pengojë”, tha ai.

Shkolla e re “Sami Frashëri” është projektuar për të përmbushur kërkesën për një kapacitet prej 1500 nxënësish, përmes 50 klasave, secila me 30 nxënës. Godina e re është organizuar në 4 kate duke krijuar disa ambiente ku përveç klasave mësimore do të vendosen edhe laboratorë, palestra, biblioteka, terrene sportive, etj., të gjitha transparente dhe të ndriçuara nga drita natyrale që mundëson kontaktin e studentëve me gjelbërimin dhe natyrën.