E ardhmja e Marco Asensio-s është akoma në dyshim në shtëpinë e Real Madrid, me lojtarin që ka qenë gjithmonë gati sa herë që Carlo Ancelotti i ka dhënë një mundësi në këtë sezon. Asensio, pas sezoneve shumë të mira me Los Blancos, është lënë pak në harresë në periudhën e fundit me shumë pak minuta të luajtura, por ka lënë gjithmonë shenjë sa herë ka luajtur, me 9 gola të shënuar në kampionat.
Real Madrid është vënë në lëvizje për t’i rinovuar kontratën që i skadon në vitin 2023, por ka shumë skuadra që janë gati të hidhen në sulm nëse ky rinovim nuk do të vijë. Lojtari ka dëshirë të qëndrojë në Spanjë, por lëvizjet e ardhshme të Florentino Perez në merkato mund ta vënë me shpatulla pas murit. Në fakt, një transferim i Mbappe në Madrid, do t’i mbyllte pothuajse përfundimisht derën Asensio-s. Sipas El Nacional, Milan-i është një nga destinacionet e preferuara të fantazistit. Menaxheri i 26-vjeçari është Jorge Mendes, një nga më të suksesshmit në botën e futbollit. Menaxheri portugez, në fakt, është i njohur për vendosmërinë e tij për të bërë më të mirën për klientët e tij.
Kërkesa e Asensio-s është 7 milionë euro neto në sezon, një rrogë që për momentin Real Madrid nuk do të ishtë i gatshëm t’ia pagante, por Mendes do të bëjë gjithçka është e mundur për ta kënaqur. Nëse kjo nuk do të jetë e mundur, atëherë do të merren në konsideratë zgjidhje të tjera, me të ardhmen e spanjollit që do të jetë sigurisht larg Bernabeu-t, ku ka fituar dy kampionate, tri Superkupa të Spanjës, dy Champions League dhe po aq Superkupa të Europës dhe një Botëror për klube.