Cristiano Ronaldo i ka falënderuar tifozët e Liverpoolit, të cilët e zgjodhën një mënyrë speciale për ta ngushëlluar pasi e humbi djalin e porsalindur.
Tifozët e “Reds” në minutën e shtatë duartrokitën për një minutë dhe e kënduan këngën e famshmë: “Kurrë nuk do të ecësh i vetëm” në ndeshje me Manchester United.
Po atë ditë, familja e Ronaldos i falënderoi tifozët për këtë gjest.
E sot, ishte vetë 37 vjeçari përmes një postimi në rrjetet sociale që i falënderoi përzemërsisht tifozët e Liverpoolit.
Ai e publikoi edhe videon e tifozëve, të cilët e harruan rivalitetin dhe e nderuan, respektuan dhe ngushëlluan pesë herë fituesin e Topit të Artë.
“Një botë. Një sport. Një familje globale. Faleminderit, Anfield. Unë dhe familja ime nuk do ta harrojmë kurrë këtë moment respekti dhe dhembshurie”, ka shkruar futbollisti i Man Utd.
Ronaldo dhe partnerja e tij Georgina Rodriguez po prisnin binjakë, por fatkeqësisht vetëm vajza mbijetoi.