Jeta e Volodymyr Zelenskyt ndryshoi plotësisht kur Rusia fqinje futi trupat në vendin e tij duke nisur një pushtim të paprovokuar. Që prej asaj dite asgjë nuk është më njësoj për Zelenskyn, presidenti që u kthye në simbol të mbrojtjes së vendit të tij.

Netët janë më të vështirat, kur ai shtrihet në krevat, ndërsa dëgjon ulërima fëmijësh, sirena sulmesh dhe telefoni i tij ende gumëzhinë. Ekrani e bën fytyrën e tij të duket si një fantazmë në errësirë, sytë e tij skanojnë mesazhe që nuk kishte mundësi t’i lexonte gjatë ditës.

Gruaja dhe fëmijët e tij, shumë nga këshilltarët, disa nga truprojat, ndodhen në bunkerë, ndërsa kërkojnë prej tij t’u tregojë më shumë, shkruan abcnews.al.

Brenda bunkerit të tij, Presidenti e ka zakon të shikojë agjendën e përditshme edhe kur dita ka mbaruar. Ai qëndron zgjuar dhe pyet veten nëse ka humbur diçka, ka harruar dikë. Në këtë mënyrë Zelensky ka bërë një rrëfim ndryshe për “TIME”.

“Është e kotë”, tha Volodymyr Zelensky në kompleksin presidencial në Kiev, jashtë zyrës ku ai ndonjëherë fle.

“Është e njëjta agjendë. E shoh që ka mbaruar për sot. Por e shikoj disa herë dhe ndjej se diçka nuk është në rregull. Nuk është ankthi ai që i mban sytë të mos mbyllen. Është ndërgjegjja ime që më shqetëson”, thotë ai.