Një nga rrugët e Njësisë 11 në Tiranë do të mbajë emrin e mjekut neurolog Drini Dobi, i cili ndërroi jetë dy vite më parë, si pasojë e COVID-19. Në pritjen e organizuar me këtë rast për familjarët dhe miqtë e mjekut, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i lumtur që një tjetër rrugë në kryeqytet merr emrin e një njeriu që ka bërë mirë dhe ka ndihmuar mijëra pacientë.
“Secili prej nesh duhet ta jetojë çdo ditë sikur të ishte e fundit, të bëjë mirë, të ndihmojë njerëz, të çojë përpara njerëzimin. Jo të gjithë kemi aftësitë e doctor Drinit apo mikut të tij, doktor Petrelës, për të shëruar njerëz, por secili prej nesh mund të shërojë një shpirt apo një frymë, duke jetuar me dinjitet”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se sot në Tiranë rrugët mbajnë emra dinjitozë njerëzish që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit.
“Për ne është një privilegj i veçantë, kurse kjo është një kujtim për familjen tuaj. Dua që këtë emërtim ta konsiderojmë jo vetëm si respekt, por edhe një kujtesë për doktor Drinin, për gjithë pasurinë e kontributin që ai la në qytetin tonë”, pohoi Veliaj.
Mjeku Mentor Petrela, mik i afërt i doktor Dobit tha: “Zoti kryetar dhe Këshilli Bashkiak kanë marrë një vendim shumë të rëndësishëm, se ky është një memorial, jo vetëm i Drinit, por i gjithë profesionistëve të shëndetësisë që humbën jetën në këtë betejë. Është shenja e qytetit që nderon të gjithë komunitetin e mjekëve dhe profesionistëve të mjekësisë, që u përballën me këtë betejë”.