Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Turizëm Botëror ka votuar për të pezulluar Rusinë për shkak të luftës që ka nisur në Ukrainë. Pjesa më e madhe e 160 vendeve anëtare të Agjencisë kanë përkrahur vendimin, por nuk dihet numri i saktë.

Mocioni ka kërkuar dy të tretat e votave. Para votimit për pezullim, Rusia ka bërë të ditur se po largohet nga agjencia.

“Statuset janë të qarta: promovimi i turizmit për paqe dhe respektim universal të të drejtave të njeriut. Vetëm vendet anëtare që respektojnë ato mund të jenë pjesë e Agjencisë”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i këtij trupi, Zurab Pololikashvili.

“Veprimet do të kenë gjithmonë pasoja. Paqja është e drejtë themelore e njeriut. E garantuar për të gjithë. Pa përjashtime”, ka thënë mes tjerash ai.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se vendimi është i motivuar politikisht, prandaj Rusia e konsideron jolegjitim.

“Është vlerësuar që votimi është nxitur nga propaganda anti-ruse”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve se vendimi i Rusisë për t’u larguar nga Agjencia për Turizëm Botëror, nuk do të ndikojë këtë sektor në Rusi.

“Sektori i turizmit, sidomos turizmi i brendshëm, do të vazhdojë të zhvillohet. Edhe mundësitë për turizëm të jashtëm janë të hapura, varësisht nga situata e konkurrencës dhe cilësia”, ka thënë ai.