Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka shpërthyer dje në akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Në një intervistë televizive, deputeti Gjekmarkaj u shpreh se Berisha është kryetaleban dhe kushtetues. Madje i bindur që Partia Demokratike nuk mund t’i rikthehet vlerave perëndimore me Sali Berishën në krye të saj, ligjvënësi demokrat mbështet rezistencën e kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.
“Të duket ndonjëherë sikur Partia Demokratike ra sikur Kabuli, erdhën talebanët për ta marrë, Basha iku si Ashraf Ghani dhe ata e morën pushtetin. Alibeaj nuk është polic, as gardist, është politikan dhe në klimën kur kërkon bashkëpunim do i dëgjosh edhe kur të tjerët sillen si pushtues”, tha ai.
Më tej deputeti Gjekmarkaj theksoi se për sa kohë Sali Berisha do jetë pjesë e tryezës, ai s’do të shkojë në asnjë mbledhje grupi. Ai theksoi, se Partia Demokratike ka sot më shumë se kurrë nevojë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo për personat “non grata”. Gjekmarkaj deklaroi se Partia Demokratike duhet të kthehet tek vlerat perëndimore dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk kam shkuar në grup se e kam shumë të freskët ditën e 8 janarit që mund të ishte një ditë tragjike. Tani e shoh si një pushtim dhe uzurpim të Partisë Demokratike dhe s’kam dashur që me prezencën time të legjitimoj këtë uzurpim. Unë nuk do të jem kurrë një deputet i Sali Berishës, do jem deputet i Lezhës dhe i Partisë Demokratike në mënyrë që kjo parti të kthehet tek vlerat perëndimore dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, nënvizoi Gjekmarkaj.
Edhe Xhaferraj akuza ndaj Berishës
Ndërkohë nga ana tjetër, edhe deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferraj ka hedhur akuza ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai u shpreh, se Sali Berisha me ambicien e tij për t’u vendosur në krye të Partisë Demokratike po çon në rrënimin e partisë. Ai deklaroi, se Berisha duhet të bëjë një hap pas për t’i hapur rrugë procesit të bashkimit.
“Proces mashtrimi që po çon në rrëzimin e PD-së. Procesi ka qenë i njëanshëm. Nuk jam ftuar të marr pjesë në asnjë proces, kështu ka ndodhur me të gjithë. Nuk do e kisha problem nëse s’do merrja pjesë nëse procesi do çonte në shërimin e PD-së. Ky proces nuk ka frymëzim, as gjallërim as bashkim, në të gjitha mbledhjet marrin pjesë nga 18 në 30% e anëtarësisë”, tha Xhaferri.
Sipas Xhaferrajt, 6 marsi ishte një provë që tregoi hapur se Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë problemi më i madh për Partinë demokratike. Ai thekson, se Basha pas dorëheqjes nuk duhet të kandidojë më kreun e partisë. Duke u ndalur edhe në peshën politike të Berishës, Xhaferraj thotë se më 6 mars tregoi se ai nuk e mund dot Ramën, pasi ka mbështetje vetëm nga militantët dhe nuk ndikon dot në elektoratin gri.
“Ka një shpjegim, 6 marsi ishte evidencë që si Basha dhe Berisha janë dy aktorë që janë problem madhor i PD-së, u dëshmua që nuk e rrezojnë dot Ramën dhe e djathta shqiptare nëse duhet të bëhet duhet të çlirohet nga këta aktorë”, tha ai.