Sazan Guri është i vendosur për t’u shpallur president.

I ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj, Guri tha se ai e mori vendimin për të garuar për president, pikërisht nisur nga kërkesat nga shoqëria civile, teksa thekson me bindje se i përmbush kriteret për të qenë në krye të shtetit.

“Kisha kohë që nga shumë pjesëtarë, shoqëria civile, në rrjete sociale, më kërkuan që përse në këtë situatë, ku është ideja që mund të vijnë kandidatë dhe nga shoqëria civile. Mund të jemi pjesë e të majtës për lobin, ose e djathtës sepse e djathta do zgjedhë, e majta do votojë.

Ka shumë njerëz që plotësojnë kushtet e diturisë, aftësisë, të kenë treguar veten të paepur në çështje kombëtare, që ja kanë haberin për të gjitha. Po më gjete një të çarë, atyre që merren me biografitë e njerëzve, në marrëdhënie me komunitet, në familje, kurrë nuk kam bërë një sherr me fqinjin, me xhaxhallarë, me dajallarë, me miq, edhe kur ma kanë bërë borxh.

Origjina që vij nga Mali i Tomorit, rritja me ortodoksët, katolikët i dua prej bindjeve të mia, e kam gruan fe besim tjetër ortodokse, kjo tolerancë më bën të fal dhe ata që ma bëjnë borxh”, tha ai.

Guri ka thënë se ai i plotëson të gjitha kriteret për t’u zgjedhur president i vendit, teksa u kujdes të theksonte se ai nuk ka asnjë porosi nga partitë apo bizneset.

Madje ai sqaroi se vendimin për të vetëshpallur kandidaturën për president e kishte marrë duke u konsultuar vetëm më një person ndihmës që kishte në zyrë, për të cilin u shpreh se nuk as arsimim të lartë.

“Unë nuk jam pa këmbë në tokë, nuk kam porosi nga partite, as nga bizneset. Vendimin e mora vetëm me një person ndihmës që ishte prezent në zyrë. Nuk është kushedi me ndonjë shkollë të madhe, me të mesme është, por më rri afër, e kam si ndihmës dhe me atë isha vetëm”, tha ai.