Kryeministri Edi Rama pas konferencës së përbashkët me Olaf Scholz zhvilloi një bisedë të përbashkët me gazetarët, ku u shpreh se nuk e sheh si mosmbështetje nga ana e kancelarit gjerman Scholz mungesën e një deklarate për nismën “Ballkani i Hapur”. Rama tha nga Berlini se nëse do të ishte kundër nuk do përtonte ta thoshte.
Sa i përket reagimeve në Tiranë se Scholz nuk e mbështet këtë nismë, Rama tha se nuk i intereson.
“Sikur të ishte mosmbështetës nuk do përtonte ta thoshte as midis nesh as në publik. Kështu që kurrsesi nuk do të thosha që është mosmbështetës. Sa i përket mbështetjes së hapur edhe me gjithsej të thënë ashtu siç e them unë, kjo është një zgjedhje e komunikimit, plotësisht e respektueshme, për më tepër që procesi i Ballkanit të Hapur është një proces që ka lindur dhe shpjegohet siç është për shkak se procesi i Berlinit filloi të humbiste impaktin dhe për shkak se çfarë u parapa në procesin e Berlinit dhe çfarë u vendos në tryezë nuk u implementua kurrë jo nga Gjermania, por nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket atyre në Tiranë që janë kundër, aq më pak shoh problem sepse nuk më intereson fare, më intereson mendimi i qytetarëve”, tha Rama.