Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka paralajmëruar pasoja të rënda botërore si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës. “Ne duhet të sigurojmë që kjo luftë të përfundojë shpejt”, tha Scholz të shtunën. Me sulmin ndaj vendit fqinj, presidenti rus Vladimir Putin po ndjek “pretendime territoriale që rrjedhin nga vizionet imperialiste të shekujve të mëparshëm”, tha Scholz. “Putin nuk po kërcënon vetëm Ukrainën. Ai nuk po shkatërron vetëm jetë njerëzish, rrugë, infrastrukturë, shtëpi, spitale atje. Ai po shkatërron gjithashtu të ardhmen e Rusisë. Ky është gabimi më i madh i presidentit Putin”, theksoi Scholz.
Putin ka llogaritur gabim me luftën e tij, tha kancelari gjerman, duke iu referuar rezistencës së Ukrainës dhe unitetit të madh të botës demokratike. “Sepse të gjitha planet, të gjitha skemat që presidenti rus ka vënë në lëvizje kanë dështuar. Ai nuk priste që Ukraina të mbrohej. Ai besonte se do të kishte njerëz që do të qëndronin atje duke valëvitur flamujt dhe duartrokitur. Nuk është kështu. Të gjithë po mbrojnë veten e tyre”, tha Scholz.
“Pas pesë javësh, tashmë mund të shihen pasojat që kjo luftë ka shkaktuar, jo vetëm në Ukrainë dhe Rusi, por në mbarë botën. Të gjitha vështirësitë me të cilat po përballet sot ekonomia botërore, të cilat tashmë ishin mjaft të mëdha për shkak të pandemisë së koronavirusit, tani po bëhen edhe më të mëdha për shkak të kësaj lufte”, tha Scholz. “Unë them: është një shkatërrim i së ardhmes, shumë përtej Rusisë dhe Ukrainës”, shtoi tha Scholz./REL