Nga Mero Baze

Qëndrimi zyrtar i Partisë Socialiste se nuk do të negociojë me Sali Berishën rreth emrit të ri të presidentit, nuk ka aq shumë rëndësi për izolimin politik të Berishës, se sa për higjienën e institucionit të presidentit të Shqipërisë.

Edhe pse ka një garë kombëtare për të shfrenuar fantazinë kush mund të jetë president, kjo nuk ka shumë rëndësi. Presidenti nuk do të jetë një socialist aktiv në politikë, por mbi të gjitha nuk do të jetë një person që ka lidhej me grupimin politik të Sali Berishës.

Në kushtet kur Shqipëria po përballet me një standard të ri të vendosur nga SHBA për politikanët e dizanjuar si minues të demokracisë dhe të përfshirë në korrupsion domethënës familjarisht, është shumë e rëndësishme që këta persona dhe sidomos grupi i Sali Berishës, i cili po përpiqet të bëjë rezistencë politike institucionale kundër SHBA, për këtë shkak, të mos ketë më ndikim në zgjedhjen e presidentit të Republikës.

Ky është distancimi i parë institucional që zyra e presidentit të Republikës bën ndaj personave që janë dizanjuar nga SHBA si të tillë.

Deri më sot, me Ilir Metën, institucioni i presidentit ka qenë mbështetës për këtë kategori. Presidenti i vendit Ilir Meta shprehu mbështetjen publike për Sali Berishën ditën kur ai u dizanjua si minues i demokracisë, i përfshirë familjarisht në korrupsion domethënës dhe shantazhues i sistemit gjyqësor në Shqipëri, prej SHBA.

Ai më tej vazhdoi betejën edhe në emër të Sali Berishës kundër SHBA, duke e bërë institucionin e presidentit të Shqipërisë, një zonë të ndaluar për politikën amerikane dhe duke kompromentuar kështu rolin e tij si përfaqësues i popullit shqiptar, i cili e ka orientimin pro amerikan pjesë të strategjisë së sigurisë kombëtare.

Pozicioni i ri dhe i prerë i socialistëve, që Sali Berisha dhe aleati i tij nuk do të kenë asnjë rol dhe asnjë ndikim në zgjedhjen e presidenti të ri, është një lajm i mirë.

Tani së paku e dimë kë nuk do të kemi president. Nuk do të kemi dikë që i bën karshillëk SHBA, vendeve perëndimore dhe që në një kohë kur në gjithë botën shpallen “non grata” ambasadorët rus, ata pëpriqen të linçojnë në Shqipëri ambasadoren e SHBA.

Për identikitin e plotë të presidentit do të mësojmë në vazhdim, por së paku ai është dikush që nuk e fut më Shqipërinë në konflikt me Perëndimin. Dhe nuk është pak si fillim. Është fillimi i izolimit shqiptar të bërthamës anti-perëndimore të Shqipërisë.