Votuesit në Serbi të dielën votojnë për zgjedhjet presidenciale, me presidentin populist Aleksandar Vuçiq –i cili mburret për lidhjet e tij personale me presidentin rus, Vladimir Putin teksa Rusia vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës – që pritet të fitojë një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të shtetit.
Votuesit më 3 prill po ashtu do të votojnë për zgjedhjet parlamentare, në të cilat, Partia Përparimtare Serbe (SNS) po ashtu pritet të dominojë. Njëkohësisht po mbahen zgjedhjet lokale për disa komuna, përfshirë edhe për kryeqytetin serb, Beogradin.
Në zgjedhjet parlamentare serbe marrin pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat do të garojnë me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë.
Pesë vjet pasi fitoi mandatin e parë si president, Vuçiq vazhdon të jetë forca dominuese në Serbi, duke predikuar paqe dhe stabilitet në një kohë kur Evropa po përballet me konfliktin më të madh që prej Luftës së Dytë Botërore.
Vuçiç paralajmëron dorëheqje nga kryesimi i partisë
Por, kritikët e tij thonë se ai ka rritur kontrollin e pushtetit përmes kontrollit të mediave dhe Qeverisë, deri në atë pikë saqë muajin e kaluar, tregoi se 43 për qind e të anketuarve u shprehën se nuk besonin se zgjedhjet e 3 prillit do të jenë të lira apo fer.
“Në vitet e fundit, partia në pushtet Partia Përparimtare Serbe ka cenuar në mënyrë të vazhdueshme të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, mbi opozitën dhe organizatat e shoqërisë civile”, tha Freedom House në vlerësimin e tij të fundit për Serbinë, duke e renditur shtetin në vendin e 62-të nga 100 shtete në indeksin e lirisë për vitin 2021.
Sfiduesi kryesor i Vuçiqit në këto zgjedhje është ish-shefi i ushtrisë Zdravko Ponosh – një gjeneral në pension, që doli si befasi si kandidat i kampit opozitar pro Bashkimit Evropian.
Ponosh, 60 vjeç, është “kandidat i qendrës së djathtë dhe duket se opozita dëshironte të gjente një person i cili do të mund të ishte një kandidat i mirë për atë që konsiderohet në skenën politike në Serbi, që anon nga e djathta”, tha Bojan Klacar, drejtor menaxhues i agjencisë së sondazheve Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.
Megjithatë, duket se serbët kanë pak gjasa që të votojnë për ndryshim të udhëheqjes, sa i përket postit të presidentit, apo edhe në nivelin legjislativ edhe pse Qeveria muajt e fundit është përfshirë në një sërë polemikash.
Një sondazh i Institutit për Çështje Evropiane, me seli në Beograd, ka parashikuar se Vuçiq do të fitojë në rundin e parë duke marrë 60 për qind të votave dhe Ponosh do të dalë i dyti me 18 për qind.
Dhe sipas sondazhit të këtij instituti, Parlamenti i ri – që ka 250 ulëse – me gjasë do të përbëhet nga katër ose pesë parti: SNS në pushtet me 57 për qind, Serbia e Bashkuar me 19 për qind, Partia Socialiste e Serbisë me 6.6 për qind, Moramo (Ne duhet) me 5.7 për qind. Ndërkaq, koalicioni NADA (Shpresa) sipas sondazhit, do të jetë rreth pragut të 3 përqindëshit, dhe kjo parti mund ta kalojë pragun dhe të futet në Parlament.
Taktikat e opozitës serbe për t’u bërë relevante sërish
Një rezultat i tillë do të ishte një fitore e madhe për SNS pasi do të ishte hera e parë që kjo parti do të merrte mbi 50 për qind të votave.
Në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë 6.5 milionë votues. Vendvotimet hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.
Ndërkaq, serbët në Kosovë, me shtetësi të dyfisht do të votojnë në komunat brenda Serbisë, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi që këto zgjedhje të mbahen brenda territorit të shtetit. Kosova tha se i kishte kërkuar Serbisë që t’i dërgonte kërkesë Qeverisë në Prishtinë për mbajtjen e zgjedhjeve, por Beogradi nuk pranoi.
Shtetet e Quint-it kishin shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe./ REL