Me momente tensionesh dhe përplasje fizike është shoqëruar procesi i zgjedhjeve të Grupit të Rithemelimit në Bulqizë për kreun e kësaj dege të PD.

Mbështetës të kandidatëve Fatos Hoxha dhe Shaqir Manjani janë përplasur në ambientet e Kinemasë së qytetit duke shqyer edhe derën e saj me qëllim futjen brenda ambienteve të votimit.

Mësohet se sherri ka nisur pasi njëri nga kandidatët ka parë prani të shtuar të votuesve të rivalit të tij duke tentuar kështu moslejimin e vijimit të votimit.

Kandidati Shaqir Manjani ka deklaruar se procesi vijon normalisht dhe se tensioni u shkaktua për shkak të radhës. “Procesi po vijon nuk është ndërprerë, tensioni për shkak të radhëve. Po votohet mbi listat e hartuara nga Komisioni i Rethemelimit”, tha ai. Ndërsa kandidati tjetër, Fatos Hoxha refuzoi të prononcohej.

Rithemelimi është duke organizuar zgjedhje për riorganizimin e strukturave të partisë në rrethe, gjë që është kundërshtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe një pjesë e mirë e deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së.