Në Durrës, nga Ura e Dajlanit drejt Kavalishencës do të ndërtohet një shëtitore e re.

Bashkia që pak muaj më parë hapi një procedurë për përzgjedhjen e studios që do të hartojë projektin tashmë ka kaluar në një fazë tjetër duke shpallur fituesin. Këtij të fundit tashmë do t’i duhet që të hartojë projektin që në fazën e parë të prokurimit paraqiste shembuj apo modele që mund të merreshin në referencë nga Dubai dhe Tel Avivi.

Bashkia në fillimet e procedurës njoftoi se kompanitë që do të merrnin pjesë në garë do të duhej të merrnin në konsideratë një sërë elementësh sa i takon përmirësimit të bregdetit të Durrësit. Të tilla ishin realizimi i një shëtitoreje lineare përgjatë gjithë shtrirjes së plazhit, për të siguruar një lidhje shumë të nevojshme.

Po kështu thuhej se shëtitorja duhet të shërbejë si një hapësirë e përbashkët me korsi të dedikuara për këmbësorët dhe çiklistët.

“Nëpërmjet këtij projekti synohet rehabilitimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i zonës së Plazhit të Durrësit. Projekti parashikon krijimin e një promenade që shtrihet përgjatë vijës bregdetare me shtrirje nga zona e Marine, portit deri tek godina e Kavalishencës, Pista e Madhe Iliria. Shëtitorja do të përbëhet nga linja kalimi këmbësor dhe pista për biçikleta, nga zona e breza të gjelbërta e elementë të tjerë të mobilimit urban. Midis shëtitores dhe zonës se plazhit, parashikohet krijimi i stacioneve me pajisje sportive për aktivitete fizike në natyrë, si dhe krijimi i zonave për ushtrimin e sporteve ujore. Përgjatë shëtitores do ketë dhe zona të dedikuara lojërave për fëmije, si dhe zona për shërbime. Parashikohet dhe krijimi i nyejve kryesore ku do ofrohen shërbime gastronomie dhe nyje për funksione rekreative. Zona e stacioneve të plazhit synohet të sistemohet duke ndjekur të njëjtën logjike konceptuale” sqarohej nga Bashkia.

Në dokumente nënvizohej gjithashtu se realizimi i hapësirave për vendosjen e veprave të artit he realizimi i strukturave për relaksim dhe plazh duhet të merreshin në konsideratë. Kompania fituese duhet të dorëzojë zgjidhjen e vet të përfunduar brenda 90 ditësh nga data e nënshkrimit të kontratës./Monitor