Shqipëria dhe Gjermania pritet të nënshkruajnë javën e ardhshme, në Tiranë marrëveshjen për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit. Ambasada gjermane në Tiranë bëri të ditur sot se Oliver Luksic, MdB, Sekretar Parlamentar i Shtetit (Zëvendësministër) në Ministrinë Federale të Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, do të vizitojë Tiranën në datat 11 dhe 12 prill.

Krahas bisedave për temat e lëvizshmërisë së qëndrueshme dhe tranzicionit energjetik në sektorin e transportit, sipas ambasadës, në qendër të vizitës së tij është edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Informacione të mëtejshme mbi përmbajtjen e marrëveshjes do publikohen së shpejti.

Pas ratifikimit në parlamentet e landeve, Bundesrati gjerman votoi më 11 shkurt njohjen e lejeve shqiptare të drejtimit. Me këtë vendim Gjermania ndjek Greqinë, Italinë, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, Malin e Zi dhe Kosovën, të cilat njohin patentat shqiptare me marrëveshje dypalëshe. Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë gati 130 mijë shqiptarë rezidentë në Gjermani.

Më herët drejtori i përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja deklaroi se në bazë të marrëveshjes njihen të gjitha kategoritë e lejeve të drejtimit, nga autovetura, mjetet e mallrave, kamionët, autobusët Deri sot, shqiptarët në Gjermani duhet të bënin një kurs të gjuhës angleze apo gjermane dhe më pas të nisnin kursin për patentën bazë apo për kategoritë e tjera. Kostoja për ta, shkonte nga 2300 deri në në 7500 euro, ndërsa me këtë vendim, këto procedura dhe kosto eliminohen.

Ai shpjegoi edhe procedurën që duhet të ndjekin qytetarët për të konvertuar patentën.
“Mjafton të jesh rezident atje, për të jetuar, për punë, për shkollë, mund të bësh automatikisht konvertimin në zyrat homologe të DPSHTRR në Gjermani. Bëhet aplikimi, dorëzohet patenta shqiptare, konfirmojmë që patenta është e rregullt dhe vijohet konvertimi”, u shpreh Gonxhja.

Por kjo nuk do të thotë që rezidenti shqiptar në Gjermani, mund të vijë për pushime në Shqipëri, të bëjë kursin e patentës këtu dhe më pas ajo të njihet në shtetin gjerman. Sa i takon rinovimit, qytetarët shqiptarë do t’u nënshtrohen rregullave gjermane. “Rinovimi i patentës më pas bëhet sipas rregullave të Gjermanisë, pra në këtë rast shqiptari trajtohet si një qytetar gjerman”, u shpreh ai.