U mbajt sot në Gjirokastër, në kuadër të panairit të biznesit Shqipëri-Greqi, forumi “Dy vende, një itinerar turistik”.
Në forum ishin të pranishëm ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro si dhe zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, Kosta Fraggoyannis. Ministrja Kumbaro vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dypalësh.
“Bashkë me zëvendësministrin e Jashtëm të Greqisë, Kosta Fraggoyannis, hapëm Panairin e biznesit organizuar nga Dhoma e Tregtisë e qarkut të Gjirokastrës dhe të Janinës, me praninë e kryetarëve të bashkive Gjirokastër, Janinë, Dropull e shumë bashkëpunëtorë e miq, si ura më e sigurt e fqinjësisë së mirë dhe e bashkëpunimit ekonomik dhe njerëzor”, tha ministrja.
Përgjatë këtij forumi, përfaqësues të pushtetit vendor në qarkun e Gjirokastrës dhe rajonin e Janinës, bizneseve turistike, shoqatave dhe turoperatorëve në të dyja anët e kufirit, diskutuan për domosdoshmërinë e bashkëpunimit për itinerare të përbashkëta turistike.
Sipas pjesëmarrësve, zonat e Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe rajoni i Janinës kanë resurse të veçanta natyrore dhe të trashëgimisë kulturore, kombinimi i të cilave do të sillte paketa turistike të suksesshme, duke tërhequr vizitorët dhe me impakt ekonomik mjaft pozitiv.
Pjesëmarrësit shprehën bindjen se bashkëpunimi në sektorin e turizmit duhet forcuar më shumë si në drejtim të lëvizjes së grupeve turistike nga rajonet përkatëse në të dyja anët e kufirit, ashtu edhe për krijimin e ofertave të përbashkëta për turistët nga vende të ndryshme të botës.
Synohet që këto nisma të konkretizohen në një memorandum bashkëpunimi në fushën e turizmit.