Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka kujtuar 13-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Me një postim bë Facebook, Peleshi shkruan se që prej 1 prillit të vitit 2009, trupat shqiptarë kanë shërbyer pothuajse në çdo mision të NATO-s.
“Pavarësisht periudhave të caktuara, vokacioni i popullit shqiptar ka qenë ndër shekuj perëndimor. 13 vjet më parë ky vokacion u materializua me anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të madhe politiko-ushtarake që ka njohur bota. Që prej asaj dite, por edhe më herët, trupat shqiptarë kanë shërbyer pothuajse në çdo mision të NATO-s. Kontributi jonë, si një aleat i denjë i Aleancës do të shtohet çdo ditë e më tepër me qëndrimet dhe veprimet tona pro paqes dhe lirisë në botë. Gëzuar 13 vjetorin e Shqipërisë në NATO!”, shkruan Peleshi.