Tomorr Buzi, një shqiptar që banon në Romano është kthyer në hero pasi ka shpëtuar të hënën në mëngjes një familje turistësh të cilët ranë në ujërat e ngrira të liqenit Braies, pasi po bënin një shëtitje mbi akull.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, Buzi u hodh vetë të hënën në ujërat e ftohta për të shpëtuar jetën e një foshnje 4-muajshe. Në ujë ranë edhe prindërit e vogëlushit, por nuk pësuan dëmtime.
Pasi u nxorrën prindërit dhe fëmija i vogël u dërguan në një klinikë në Innsbruck të Austrisë, pasi liqeni ku ka ndodhur ngjarja ndodhet shumë pranë kufirit.
Të gjithë u shpëtuan nga Buzi, i cili i tërhoqi nga uji i ftohtë, ndërsa mësohet se fëmija i vogël ishte duke kaluar në hipotermi.
“Më thanë që kur Tomorri pa fëmijën dhe prindërit në rrezik, nuk hezitoi që t’i ndihmonte. Një përgjegjës, i pushtuar nga emocionet teksa rikujtonte momentet dramatike, më tregoi se si mori fëmijën në krahë nga Tomorri, një fëmijë, i cili i shpëtoi vdekjes falë ndërhyrjes në kohë dhe heroike të bashkëqytetarit tonë. Kërkova që të takoja personalisht zotin Tomorr Buzi për të pasur mundësinë që t’i shtrëngoja dorën, ta falenderoja dhe t’i shprehja në emër të gjithë komunitetit tonë se ne jemi krenarë për të”, tha kryebashkiaku i Romanos, Sebastian Nicoli.