Përfaqësuesi i Unionit Shqiptar në Ukrainë, Aleksandër Dermentli thotë se shumica e komunitetit shqiptar që jeton në zonën e Zaporozhias në Ukrainë, nuk pranon që të largohet nga vendi.

Gjatë një interviste për emisionin “Sot” në Euronews Albania, ai tha se bëhet fjalë për një numër prej 1500 shqiptarët që janë të përqëndruar në tre fshatra.

“Ka korridore për t’u zhvendosur por shumica e banorëve janë pleq dhe refuzojnë të largohen. Më thanë shumë faleminderit që nuk na keni harruar, por sido që të jetë ne do të qëndrojmë këtu”, tregon Aleksandri.

Përfaqësuesi i Unionit Shqiptar bën apel për ndihma ndërsa tregoi vështirësitë që ka hasur gjatë rrugës për t’u dërguar ndihmat e para. Aleksandër Dermentli tha se mes shqiptarëve kishte dhe fëmijë e gra.

“Kam dërguar një kamion me ndihma, në Militopoli. Situata ishte shumë e keqe. 30% e territorit ishte e kontrolluar nga Ukraina dhe 70% nga rusët. Më dhemb zemra për ata shqiptarë. Nuk kam fjetur për dy ditë për të shkuar atje. Rruga ishte 1200 km dhe gjatë saj kishte dhe bombardime”, përfundoi ai.