Nga Geraldine Fagan, “Time”
Për Vladimir Putin, Krishterimi Ortodoks është një nga mjetet për të mbrojtur të drejtat e Moskës mbi Ukrainën sovrane. Në fjalimin e tij televiziv në muajin shkurt, kur njoftoi edhe nisjen e pushtimit të Ukrainës, ai tha ndër të tjera se banorët e asaj “toke të lashtë ruse” ishin ortodoksë që nga kohërat e lashta, dhe se tani po përballen me “persekutimin nga një regjim i paligjshëm në Kiev”.
E udhëhequr nga Patriarku Kirill, Kisha Ortodokse Ruse është një nga lidhjet kulturore më të prekshme midis Rusisë dhe Ukrainës. Kupolat e praruara të Manastirit të Shpellave dhe Katedrales së Shën Sofisë në Kiev, janë vizituar nga pelegrinë të të dyja vendet për gati 1 mijë vjet.
Me retorikën e tij fetare, Putini është bërë pjesë e një tradite të gjatë, e cila imagjinon një Rusi të Madhe që shtrihet në Ukrainën dhe Bjellorusinë e sotme, në një territor të kombinuar të njohur si Rusia e Shenjtë. Nostalgjik për perandorinë, kjo traditë e sheh unitetin shpirtëror të tre kombeve si një element thelbësor për fuqinë tokësore të Rusisë si një qytetërim të jashtëzakonshëm.
Të inkurajuar nga “operacioni special” i Putinit, nacionalistët ortodoksë rusë po kujtojnë me entuziazëm profecinë e një shenjtori të shekullit XX nga Chernihiv, sot një nga qytetet e rrethuara të Ukrainës. “Ashtu si Zoti i Vetëm është Trinia e Shenjtë e pandashme e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, edhe Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia përbëjnë së bashku Rusinë e Shenjtë, ndaj nuk mund të ndahen”- deklaroi murgu.
Në fakt, Putin nuk është sundimtari i parë modern i Moskës, që e ka pranuar këtë ide në përpjekjen e tij për të konsoliduar pushtetin laik. Gjatë orëve më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, Stalini rinjohu statusin tradicional të Kishës Ortodokse Ruse, dhe e zëvendësoi Internacionalen Komuniste me një himn të ri kombëtar.
Teksti i saj pohonte se Bashkimi Sovjetik ishte “i pathyeshëm, i bashkuar përgjithmonë nga Rusia e Madhe”. Në vitin 2007 Kremlini, e përpunoi më tej konceptin e “Russky Mir”, Botës Ruse, fillimisht si një projekt të fuqisë së butë që synonte promovimin e kulturës ruse në mbarë botën, i krahasuar nga Patriarku Kirill me Komonuelthin Britanik.
Por i shqetësuar nga protestat e mëdha kundër regjimit të tij autoritar në vitet 2011-2012, si dhe nga ato që e rrëzuan vasalin e tij në Ukrainë në vitet 2013-2014, Putin e ka shtrembëruar që atëherë konceptin e Rusisë së Shenjtë dhe Botës Ruse, duke i përshtatur ato për t’i shërbyer një axhende më të dhunshme.
Tani theksi kryesor vihet tek tradita ruse e shenjtorëve luftëtarë. Nuk ishte rastësi që Putin deklaroi para mijëra mbështetësve një tubim të fundit në stadiumin Luzhniki në Moskë, se operacioni ushtarak në Ukrainë filloi në ditëlindjen e Shën Teodor Ushakov, një komandant detar rus të shekullit XVIII, i famshëm për faktin se nuk humbi kurrë asnjë betejë të vetme.
“Ai tha dikur: Ky kërcënim do të shërbejë për t’i dhënë madhështinë Rusisë. Kështu ishte atëherë, është tani, dhe do të jetë gjithmonë!”- tha Putin. Ndërkohë presidenti neveriti një traditë të shenjtë të krishterë alternative të rezistencës pasive sfiduese, e ilustruar nga shenjtorët e parë që u kanonizuan në Rusinë mesjetare, princat e Kievit Boris dhe Gleb, të cilët pranuan martirizimin nga vëllai i tyre.
“Ata u dorëzuan pa luftë. Ky nuk mund të jetë shembull për ne”- tha Putin me neveri. I rrethuar nga Ministri i Mbrojtjes Shoigu gjatë ceremonisë së shenjtërimit të një katedraleje ushtarake në vitin 2020, Patriarku Kirill u lut që forcat e armatosura të Rusisë të mos pësonin kurrë humbje.
Në të njëjtin vend Patriarku i prezantoi në muajin mars të këtij viti një ikonë kreut të Gardës Kombëtare të Rusisë – njësia që thuhet se po pëson humbje të mëdha në Ukrainë – me shpresën se kjo do t’i “frymëzonte rekrutët e rinj që të bënin betimin e tyre”.
Kirill nuk është një përjashtim në mbështetjen e tij për luftën, pasi asnjë klerik i nivelit të lartë brenda Rusisë nuk ka shprehur kundërshtim. “Gjithçka që bën presidenti është e drejtë”- deklaroi një kryepeshkop për agjencinë lokale të lajmeve Regnum në fundin e muajit mars.
“Nëse Zoti do të më jepte mundësinë, unë personalisht do të vendosja një kurorë mbi kokën e Putinit!”- shtoi ai. Një mbështetje po aq zjarrtë vihet re edhe midis priftërinjve të famullisë së Moskës. “Paqeruajtësit rusë po kryejnë një operacion special për të kryer gjyqet e Nurembergut kundër të gjithë Evropës”- tha njëri prej tyre gjatë një predikimi të ditëve të fundit, ndërsa i mohoi raportet për viktima në radhët e civilëve në Ukrainë.
“Çfarë është në gjendje të prodhojë Perëndimi? Vetëm ISIS-in dhe neofashizmin”- shtoi ai.
Prifti e mbylli predikimin e tij me shpresën se Kazakistani, Moldavia dhe Gjeorgjia do të ribashkoheshin me Rusinë, përveç Ukrainës.
Por nëse Putini po kërkon që të hyjë në histori si bashkues i territoreve historike ruse, ka një problem. Banorët e Ukrainës nuk janë të interesuar të “çlirohen” nga operacioni i tij për “de-nazifikimin” e vendit të tyre. “Bota ruse është këtu!”- bërtiti një grua me ironi teksa po filmonte trupat pushtuese, duke u përballur me një turmë vendasish të zemëruar vetëm 32 km nga kufiri lindor i Ukrainës me Rusinë.
Brenda disa orësh nga sulmet e para me raketa më 24 shkurt, edhe Kisha Ortodokse në Ukrainë që është në varësinë e Patriarkut të Moskës iu kthye e indinjuar Putinit. “Ne kërkojmë që ju ta ndalni menjëherë këtë luftë vëllavrasëse. Një luftë e tillë nuk ka justifikim, as para Zotit dhe as përpara njerëzve”- u lut Mitropoliti Onuphry.
Kështu, kjo e Putinit është një aventurë fatkeqe shpirtërore por edhe ushtarake. Ashtu si Stalini kur ndodhej në momentin më delikat gjatë Luftës së Dytë Botërore, mbështetja e tij tek Kisha Ortodokse gjatë dekadës së fundit është shenjë e dëshpërimit tij.
Vështirë se ajo buron nga përkushtimi personal ndaj besimit. Teksa në publik është shfaqur si besimtar që nga fillimi i presidencës së tij, për më shumë se një dekadë Putini e kundërshtoi pjesën më të madhe të politikës së Kishës – si për shembull lëndët e detyrueshme mbi ortodoksinë në shkollat publike – derisa nevoja e tij për një simbolikë autokratike nisi të dominojë pas rikthimit të tij në presidencë në vitet 2011-2012.
Gjatë gjithë sundimit të tij, Putin ka folur vazhdimisht dhe është sjellë në kundërshtim me sjelljen normative të krishterë ortodokse, si për shembull duke pretenduar se zgjedhja e besimit është e parëndësishme, pasi të gjitha kategoritë fetare janë një shpikje e njeriut, apo kur përshëndet në mënyrë të sikletshme Patriarkun Kirill me gjestet që zakonisht bëhen për nderimin e një relikeje apo ikone të ndonjë shenjtori.
Retorika luftarake nga klerikët ortodoksë ndikon tek disa rusë që janë fetarë të devotshëm, por kjo përbën një segment të ngushtë të popullsisë. Ndërsa një sondazh i vitit 2019 zbuloi se mbi 60 për qind e rusëve më të mëdhenj se 25 vjeç identifikohen si ortodoksë, ata që janë të vëmendshëm ndaj jetës institucionale të kishës – pra ndjekin shërbesat fetare – arrijnë në vetëm disa për qind.
I njëjti sondazh zbuloi një rënia të madhe të atyre që identifikoheshin si ortodoksë në grupmoshën 18-24 vjeç, vetëm 23 për qind. Këto të dhëna kontrastrojnë dukshëm me Ukrainën, ku një e katërta e popullsisë ndjek shërbesat fetare me rastin e Pashkëve, dhe shumica e 18-24 vjeçarëve përkufizohen si besimtarë.
Distancimi i shpejtë dhe total i miliona ortodoksëve ukrainas, është një kosto e madhe të cilën Patriarku Kirill duhet të paguajë për besnikërinë ndaj Putinit. Kjo pasi në Ukrainë ndodhet një e treta e famullive dhe manastireve në varësinë e tij.
Ndërkohë është dëmtuar edhe imazhi ndërkombëtar i Patriarkut, pasi ortodoksët jashtë vendit, e kanë dënuar luftën – duke përfshirë vetë peshkopët e Kirillit në Estoni dhe Lituani. Në vend të një Bote Ruse, Patriarku i Moskës mund ta gjejë autoritetin e tij të kufizuar vetëm në kufijtë e Federatës Ruse.
Dhe rënia e ndikimit të Kishës Ortodokse Ruse do të thotë se Putini nuk mund ta përdorë atë për të rikthyer ëndrrën e vjetër të një Rusie të Shenjtë e të zgjeruar. Megjithatë, teksa po i afrohet të 70-ave, president rus nuk ka ndonjë ambicie afatgjatë për të konsoliduar spiritualitetin ortodoks, por vetëm kontrollin e tij personal mbi pushtetin për aq vite të tjera sa do t’i japë Zoti./Përktheu: Alket Goce-abcnews.al