Sali Berisha po sillet sikur nuk i intereson zgjedhja e Presidentit të ardhshëm të Republikës, duke “u fshehur” pas halleve që ka PD që prej datës 8 Janar të këtij viti.

Megjithatë gjuha politike e tradhtoi kur tha të premten se ajo pjesë e PD-së që drejton, do të jetë kundër me votë ndaj ccdo kandidati të Ramës.

Ish-kryeministri nuk e mohoi se do të jetë prezent që në seancën e parë parlamentare kur të nisin raundet e votimit për kryetarin e ardhshëm të Republikës.

Pa fjali të gjata Zoti Berisha tha se procesi që Rama ka nisur është pis dhe ai nuk mund të jetë aty sa për të dëshmuar si do të arkivohet një tjetër ngjarje në kalendarin politik të Shqipërisë, por ai dhe opozita e tij do të votojë kundër.

E ndërsa gazetarëve u tregoi se morali i tij politik është shumë larg kryeministrit që Berishën nuk e llogarit më faktor në politikë, nuk harroi të etiketonte “tradhtarët” e tij, duke shënjestruar Alibeajn si të blerë nga socialistët.

Berisha nuk do t’ua falë demokratëve që i ka patur vartës kur ishte kryeministër, (deputetët që sot i ka kundër) nëse ata do t’a bëjnë ligjërisht korrekt procesin e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Republikës.

Por ama Berisha ishte po ai që me ndihmën e të njëjtës skemë, korrekte ligjiërisht por jo moralisht, zgjodhi Bamir Topin President të Republikës.

Kujtime nga 2007, kur u zgjodh Bamir Topi

Po të kthehesh në kohë në vitin 2007, atëherë Berisha kryeministër rrezikonte të shkonte në zgjedhje të parakohshme, nëse nuk do të zgjidhte dot presidentin në një nga 5 raundet e votimit që parashikonte Kushtetuta.

Dhe kjo skemë rigoroze e asaj kohe, me 84 vota në parlament të detyrueshme, kërkonte dialog mes xhentëllmenësh. Por Rama dhe Meta asokohe nuk e votonin Fatos Nanon që u vetëofrua si kandidat për President. Rama dhe Meta ishin kundër Nanos, secili për shkak të hesapeve që kishin patur në PS me të.

Edhe Berisha po ashtu, e kishte kokën mbështetur pas murit nga ata që mbështesnin Bamir Topin dhe nuk mund të votonte në vend të tij një emër nga PS.

Në parlament u rregjistrua si kandidat edhe Neritan Ceka, por ai ishte në mes të një rrjedhe që thuajse e kishte paracaktuar fundin e vet.

Berisha asokohe nuk pyeti për nenin kushtetues që detyronte konsensus, dhe u ul me opozitën në tryezë bisedimesh duke mbajtur nën mëngë një “as” që Rama nuk e kishte llogaritur, edhe për shkak se atij i mungonte eksperienca e prapaskenave, si rishtar që ishte në PS.

Berisha arriti që me 6 vota, të 6 deputetëve që mbështesnin Fatos Nanon në atë kohë në grupin e PS, të zgjedhë Bamir Topin si President.

Asokohe Ben Blushi dha dorëheqjen nga drejtimi i grupit të PS për shkak se 6 deputetë nuk iu bindën urdhrit për të bojkotuar parlamentin.

Rama nuk reagoi por nisi skemën e spastrimeve sepse e kuptoi që grupin e deputetëve dhe partinë socialiste nuk e kishte nën kontroll.

Berisha kapërceu rrezikun e zgjedhjeve të parakohshme dhe u bë gati bashkë me Ramën për ndryshimet famëkeqe të kushtetutës në vitin 2008.

Thuajse e njëjta situatë shfaqet sot, por aktorët kanë ndryshuar vendet.

Rama kryeministër thotë se ka nisur një proces politik që synon konsensus. Berisha është në opozitë dhe nuk e ka nën kontroll grupin parlamentar, pasi Alibeaj mund të ulet në tryezë bisedimesh me PS për të diskutuar procesin e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Dhe Alibeaj ka ende spaleta në PD, përderisa fati i drejtimit të Partisë Demokratike është në duart e gjykatave dhe ato nuk kanë folur deri në shterrim.

Sigurisht sot Kushtetuta nuk ia ul kokën Ramës që të kërkojë patjetër të gjitha votat në kuvend, sic Berisha kishte nevojë dikur, e të thotë se: ” Ja, e zgjodha një President me konsensus.”

Sot Kushtetuta e ndryshuar për të qeverisur “rehat” pa President të fortë dhe pa kërcënime për zgjedhje të parakohshme, u ka lënë politikanëve një korridor për të shpëtuar.

Madje në daljen emergjente të këtij korridori vetëm ata që bëjnë politikë dhe marrin vendime, arrijnë të lexojnë se ccdo votë brenda parlamentit është kushtetuese, ndaj mund të përdoret edhe kur nuk ka moral. Dhe Berisha që e ideoi sot është viktimë e vetes./ SI