Nga Ylli Pata/
Dalldia e sponsorizuar për të bërë butaforik procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri, ku janë vetëpropozuar si kryetarë shteti, emra më shumë piktoreskë sesa seriozë, nuk është vetëm për tu argëtuar.
Ka një vullnet të përgjithshëm nga publiku, jo nga sot, po prej vitesh, për një përfshirje më të gjerë të shoqërisë në vendimarrje, vullnet që doli në pah më shumë gjatë anketimeve ndërkombëtare në lidhje me reformën në drejtësi.
Shqiptarët, përveçse një nisje të një aksioni të madh pandëshkueshmërie ndaj elitës së korruptuar, kanë kërkuar edhe krijimin e një hapësire, e cila do të hapte më shumë mundësi për tu përfshirë në debat e proces, pjesë të shoqërisë që ka qenë e margjinalizuar prej vitesh. Në këtë rast, elita politike 30 vjeçare është ajo që mallkohet më shumë, megjithatë fakt është që mekanizmi që i kthen vendimet në realitet, nuk është tjetër veçse politika.
Mjafton që grupet e interesit që përfaqësojnë shoqërijnë të ndjekin rrugët e duhura për të hyrë në proces. Me fjalë të thjeshta, në rastin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit, ka një dëshirë të përgjithshme që kreu i shtetit të përfaqësojë atë pjesë të opinionit që është më pak e përfaqësuar. E që merr edhe një rol specifik në kushtet e një mazhorance që ka 8 vjet në drejtim dhe ka pushtetin legjislativ e ekzekutiv me “okë”. Gjithsesi, ky vullnet i publikut për të hapur institucionet edhe për pjesë të shoqërisë që nuk është pjesë e kastës, nuk do të thotë aspak se zgjedhja e Presidentit është një reality apo talent show.
E në fakt, këtu e ka komplikuar procesin edhe mazhoranca me “gjetjen” që çdo deputet i PS-së të përzgjedhë vetë 3 kandidatura. Nëse do të ishte pjesë diskrete e një konsultimi të brendshëm, natyrisht që nuk do të merrte përmasat e një televotimi, sidomos pas asaj që shpallën sot para mediave Taulant Balla dhe Elisa Spiropali.
Bërja publike, jo vetëm e kësaj nisme, por edhe hapja e një kanali publik të propozimit masiv për president, duket se na ka sjellë realisht në fazën e një formati, ku ka nevojë për një skaletë, një staf të madh që të marrë propozimet, me një produksion të standardit të madh dhe prezantues që të përballojnë një show të nivelit të lartë. E ku do të jetë Elisa Spiropali në vend të Armana Osmanit që të shpallë frazën e shumë klikueshme: “Stop televotimit”.
Konsultimet për të identifikuar dhe përzgjedhur identikitin dhe emrat e mundshëm që mund të ofrohen si kandidatë për Presidentë të Republikës, nuk duhet të ofrohen si diversione të ulëta për të përfolur njerëz të nderuar e me identitet, e as për të bërë qesharak një proces.
Procesi i konsultimit në vetvete është një mundësi për të shkuar tek një kandidaturë e mirë, por nuk mund ta garantojë në vetvete suksesin.
Pasi në 30 vjet, ne kemi parë që edhe njerëz që kanë pasur premisat për të qenë presidentë të mire, kanë dalë për ibret, apo edhe të tjerë që kanë nisur nga një proces i keq, që kanë treguar integritet. Shqipëria nuk ka pasur shumë presidentë ndaj shkurtimisht mund të ilustrohen këto përvoja. Nga 1992, PD ka pasur: 4 presidentë, PS 1 president dhe LSI 1.
Presidenti i parë pas Ramiz Alisë, i cili ishte i pari që u zgjodh nga Parlamenti i ardhur nga zgjedhjet e para shumëpartiake, ishte Sali Berisha.
Kryetari i PD-së, u zgjodh President i Republikës pasi partia e tij fitoi më 22 mars 1992 mbi 60% të përkrahjes popullore. Nuk qe fare proces konslultimesh mes grupeve parlamentare siç e kishte ligji kushtetues, apo edhe një votim benda PD-së se kush do të kandidonte për President. Ishte automatik, e ku s’pati as garë formale si në PD, ashtu si në Kuvend, të cilën(formalisht) e kishte pasur edhe paraardhësi i tij Ramiz Alia.
Berisha zgjodhi që të mos drejtojë ekzekutivin, çka është normale në një Republikë Parlamentare, por u zgjodh President i Republikës, edhe pse kompetencat e kreut të shtetit ishin të përcaktuara për një figurë që do të përfaqësonte “Unitetin e Kombit”.
Berisha, sapo u zgjodh President nga Parlamenti ndryshoi dhe “Dispozitat Kushtetuese”, që ndalonin që kreu i shtetit të jetë anëtar partie formalisht. Berisha mbeti anëtar kryesie në letër por kryetar i PD-së faktik. E në drejtimin e në mandati të plotë presidencial dhe një një vjeçari nga mandati i dytë, Sali Berisha u tregua çdo gjë përveçse një presidenti mbi palët. Ishte realisht kreu i mazhorancës qeverisëse që dominoi çdo gjë në vend, edhe pse nuk pranoi të bëhet kryeministër.
Presidenti pas Sali Berishës ishte Rexhep Meidani, i cili u zgjodh në gusht të vitit 1997, në mënyrë të rrufeshme pas dorëheqjes së Sali Berishës. Nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Meidani u zgjodh kryetar shteti me 2/3 e votave të Kuvendit, të cilat i kishte Partia Socialiste.
Rexhep Meidani, edhe pse u zgjodh nga PS, pati një rol të barazlarguar nga partia që e zgjodhi, nga ku hoqi dorë formalisht. Meidani pati edhe kundërshtime dhe vendime që i ranë ndesh qeverisë së partisë së tij, pra njeriut më me pushtet të kohës Fatos Nanos, duke ja zvogëluar fuqinë.
Por Meidani mbahet mend më shumë për një vendim shumë të diskutueshëm që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Ai në bashkëpunim me Sali Berishën dhe Ilir Metën shkarkoi Arben Rakipin nga posti i Kryeprokurorit të Republikës dhe emëroi këshilltarin e tij Theodhori Sollaku, i cili kishte qenë edhe këshilltar i Sali berishës-President. Shkarkimi i Kryeprokurorit Rakipi ndodhi pikërisht kur ky i fundit kishte nisur hapjen e dosjeve ndaj zyrtarëve të qeverisë së Ilir Metës.
Pas Rexhep Meidanit, President i Republikës u zgjodh Alfred Moisiu. Ushtarak në pension, me gradën Gjeneral, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, i biri i Shefit të Shtabit të Ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare, kryetar i Shoqatës së Atlantikut të Veriut, Moisiu, u zgjodh si pasojë e një marrëveshje mes PD-së dhe PS-së; pra Sali Berishës dhe Fatos Nanos.
Ishte i pari dhe i vetmi President konsensual. E ky proces dha edhe fryte, natyrisht si pasojë edhe personazhit të Alfred Moisiut. i cili nuk mbajti anë, drejtoi presidencën në mënyrën më autonome siç nuk ka ndodhur ndonjëherë. Jo më kot konsiderohet si Presidenti më i mirë që ka patur Shqipëria.
Si me qeverinë e Fatos Nanos, si me atë të Sali Berishës, pra njerëzit që e zgjodhën, Alfred Moisiu tregoi barazlargim, edhe pse natyrisht ka marrë vendime të tijat që mund të jenë ndikim i zhvillimeve. Sapo erdhi në krye të Presidencës, Moisiu largoi Fatos Klosin nga kreu i SHISH, por nuk zgjodhi njerëz të mazhorancës. Ndërkohë që kur Berisha i kërkoi të shkarkoi Kryeprokurorin Theodhori Sollaku, pasi ky i fundit hapi dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës, Presidenti Moisiu qëndroi fort edhe pas akuzave e sulmeve skandaloze.
Pas Alfred Moisiut, në vitin 2007, në krye të shtetit shqiptar u zgjodh Bamir Topi, procesi i të cilit ishte më shumë se problematik. Kjo sepse mazhoranca e PD nuk i kishte numrat për të zgjedhur kreun e shtetit, e Berisha kishte bërë një pazar me Fatos Nanon meqë ky i fundit kontrollonte një numër deputetësh të PS-së. Topi nuk lejoi Berishën që të zgjedhë Nanon dhe u ofruar si kandidaturë e mundshme. Edi Rama nuk pranoi, pasi kërkonte një kandidaturë konsensuale ose zgjedhje të parakohshme. Ishte pikërisht atëherë që Edi Rama propozoi Ismail Kadarenë në postin më të lartë të shtetit shqiptar, candidature që u refuzua nga Berisha.
Në fund, Topi u bë President si pasojë e marrjes së 6 deputetëve të PS-së që votuan për të. Por me të marrë kreun e shtetit, Bamir Topi dha prova të rëndësishme të autonomisë dhe një lloj barazlargimi të rëndësishëm politik. Këtë e tregoi në radhë të parë në mos dorëzimin nga presioni që i bëri Sali Berisha për të ndikuar që Prokuroria të mos hetojë njerëzit e familjarët e tij si me rastin Damir Fazliç, Gërdecin 21 janarit etj. Përplasje pati edhe në çështjen e emërimit të drejtuesve dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë e Kushtetueeses, por edhe për Marrëveshjen e Detit me Greqinë, ndryshimin e Kushtetutës në vitin 2008 etj.
Bamir Topi, edhe pse nuk u zgjodh nga një proces konsensual, tregoi me vepra se nuk ishte një president i një pale-natyrisht aq sa mundi e ishin mundësitë. Pas Topit, në krye të shtetit u zgjodh Bujar Nishani, gjithashtu një drejtues i rëndësishëm i PD-së.
Nishani nuk erdhi nga një proces, por nga një vullnet i PD-së që shpalli pas një loje pak orëshe me Artan Hoxhën, se dëshironte të zgjidhjte anëtarin e kryesisë së saj.
I cili sapo u zgjodh shkarkoi Kryeprokuroren, kreun e SHISH e ndryshoi gjithë kupolën e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, duke vendosur njerëzit që u propozuan nga Sali Berisha. E pastaj erdhi Ilir Meta, i cili nuk erdhi fare nga një proces konsultimesh por u zgjodh me votat e PS-së dhe LSI-së, e që tashmë e dimë të gjithë çfarë ndodhi nën presidencën e tij. Aq sa që çelësi i ekuacionit për kreun e ri të shtetit po shpallet: më keq se Ilir Meta nuk ka, edhe pse Ilir Meta nuk erdhi nga qielli, por e zgjodhi kjo mazhorancë që në votimin e parë me një numër “konsensual”…