Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi komentoi situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek sulmet e ish-kryeministrit Sali Berisha në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe SPAK, procesin për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë, si dhe shpalljen e Aqif Rakipit dhe Ylli Ndroqit “non-grat” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ligjvënësi Koçi theksoi se pikërisht vendimi i djeshëm i DASH kërkon t’i tregojë Berishës se lufta e SHBA kundër individëve të rrezikshëm nuk do të ndalet, pavarësisht cilit krah i përkasin ata. Madje deputeti i PS shtoi se fakti që Berisha u shpalli luftë amerikanëve dhe tenton të kapë Partinë Demokratike, sipas zotit Koçi, tregon frikën e tij nga drejtësia.

-Zoti Koçi, ish-deputeti Aqif Rakipi dhe biznesmeni Ylli Ndroqi janë shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Keni një koment?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnerët tanë strategjikë dhe ne duhet të vlerësojmë çdo akt që ka të bëjë me politikën e brendshme. Kështu që fakti që SHBA këmbëngul të evidentojë persona me sfond kriminal dhe të rrezikshëm për stabilitetin nuk është e papritur. Le të themi që kjo nuk do të jetë ngjarja e fundit. E gjitha ajo që ka bërë zoti Berisha pas shpalljes së tij non-grata, lufta kundër Sekretarit të Shtetit, kundër Ambasadës Amerikane dhe për të kapur PD-në, është një përpjekje për të shantazhuar drejtësinë. Por nuk besoj se ai ka një të ardhme politike. Ai i trembet drejtësisë. Vendimi i sotëm i SHBA është për t’i treguar njerëzve të kallëpit Berisha se ne do të vijojmë të evidentojmë persona që përbëjnë kërcënim për SHBA dhe partnerët e SHBA.