Nga Mero Baze/
Dy zyrtarët më të rëndësishëm të SHBA për Ballkanin dhe Shqipërinë nisën sot vizitën zyrtare në Tiranë, ku më shumë bie në sy dhe ka rëndësi se kë nuk do të takojnë, se sa ata që do të takojnë.
Ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, kanë një axhendë të qartë politike në Shqipëri.
Ata vijnë për të mbështetur reformën në drejtësi, betejën kundër pandëshkueshmërisë së politikanëve, dhe bashkëpunimin me Bashkimin Europian për integrimin e Shqipërisë dhe konsiderimin edhe nga Europa të sanksioneve amerikane kundër individëve politik në Shqipëri, të dizajnuar si minues të demokracisë dhe të përfshirë familjarisht në korrupsion domethenës.
Dhe jo aq për koinçidencë takimi i tyre i parë në Tiranë u bë sot me delegacionin e nivelit të lartw të Bashkimit Europian, drejtuar nga komisioneri europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi, që gjendeshin për vizitë këtu.
Por pse është më e rëndësishme se kë nuk takojnë në Tiranë zyrtarët perëndimorë?
Edhe delegacioni i nivelit të lartw të Bashkimit Europian, dhe delegacioni më i lartë amerikan për Ballkanin, që takohen bashkë në Tiranë, nuk shkelin vetëm në dy institucione, në zyrën e Sali Berishës dhe në zyrën e Ilir Metës.