Nga Mero Baze/
Sot ka pasur një shpërthim të hapur të zemërimit të “Foltores” ndaj SHBA, duke agresuar ambasadoren e SHBA në Tiranë Yuri Kim, pas takimit të saj me ushtruesin e detyrës së kryetarit të PD, Enkelejd Alibeaj. Shpërthimi i zemërimit nga vet Berisha dhe disa figurina qesharake pas tij, në të vërtetë zbulon atë që Berisha për një kohë të gjatë pas 9 shtatorit u përpoq ta maskojë, betejën kundër SHBA, maskuar pas betejës ndaj Lulzim Bashës.
Si frikacak i pakorrigjueshëm dhe politikan tinzar i klasit të parë, Sali Berisha arriti të mashtrojë shumë mbështetës të tij, se shpallja “non grata” familjarisht nga SHBA ishte një vepër e Lulzim Bashës dhe Sorosit, për të bërë komplot ndaj tij. Dhe pas atij momenti e përqendroi betejën ndaj Lulzim Bashës, duke nënkuptuar betejën kundër SHBA.
Lulzim Basha bashkonte shumë vetë në betejën e Berishës kundër tij. Bashkonte servilët e përjetshëm të Berishës, që prisnin një ditë që Berisha të “kuptonte gabimin”, se duhet të kishte zgjedhur secilin prej tyre në vend të Lulzim Bashës. Dhe nuk janë pak gjysmakë të tillë nga mendja në PD e rrotull Berishës.
Pastaj vinin njerëz të strukturave të PD, që kanë hatërmbetje me Lulzim Bashës për shkak të stilit të tij të drejtimit apo cenimit në karrierën brenda PD.
Më tej vinin militantët besnikë të këtyre kategorive dhe vetë Berishës. Në një farë mënyre nuk ishte e vështirë të bëje bashkë një shumicë kundër Lulzim Bashës, ndërkohë që beteja reale ishte me SHBA.
Sot Sali Berisha nuk e mbajti dot veten, po shpërtheu drejtpërdrejtë kundër SHBA.
Dhe tani për ata naivët që shkuan pas tij, lind natyrshëm pyetja: Çfarë ka Sali Berisha me SHBA, pasi ai pas 9 shtatorit ka thënë që e kam betejën me Lulzim Bashën? Lulzim Bashën e mundi dhe e detyroi të dorëhiqet.
SHBA nuk i ka ndërhyrë në asnjë proces në luftën e tij pas 9 shtatorit dhe as tani. SHBA thjesht njeh dhe respekton Partinë Demokratike si parti, dhe është e prerë që nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë punë me një parti që mund të drejtohet nga Sali Berisha. Nuk ka asnjë luhajtje në këtë pikë. Përkundrazi masat mund të thellohen.
Parlamenti shqiptar pritet të institucionalizojë nismën e përjashtimit nga të qenit deputet të çdo individi që përfshihet në sanksionet specifike të SHBA, pasi SHBA konsiderohet si certifikuesi më i rëndësishëm në botë i standarteve të një demokracie perëndimore.
Dhe nëse përfshihesh në sanksione prej saj, nuk meriton të jesh pjesë e një elite drejtuese në një shoqëri demokratike. Ajo po ashtu mund të thellojë sanksionet financiare ndaj disa individëve të lidhur me pushtetin apo opozitën, që përdorin influenca kriminale në politikë për shkak të pasurive të tyre të dyshimta.
SHAB nuk tërhiqet nga politika e saj nga shantazhet banale të Sali Berishës dhe as nga klithmat e tij të mbytura për “fitore”, për të cilat ngjan më i dëshpëruar se humbësit e tij.
Sanksionet e SHBA ndaj Sali Berishës do të vazhdojnë dhe janë të përjetshme. Ato mund të prekin më tej PD, nëse ai e merr me dhunë nën kontroll.
Shqipëria nuk ka luksin të zgjedhë mes Sali Berishës dhe SHBA. Mbështetësit e tij janë të lirë të zgjedhin kë të duan, por kurrë nuk do të mund të qeverisin Shqipërinë. Le të vetëndjehen të fituar, duke ndjekur pas rrugëve një plak që ka 32 vjet që nuk i del shpirti pa i plas shpirtin Shqipërisë. Kaq liri e kanë.