Pavarësisht rezistencës së mëhershme, Twitteri duket se po afrohet marrëveshjes për një shitje prej 43 miliardë dollarësh te Elon Musk, e kjo sipas Time, mund të renditet si një nga blerjet më të mëdha ndonjëherë të një kompanie të listuar, thanë njerëz që kanë njohuri mbi çështjen.
Negociatat po shkojnë mesa duket drejt finalizimit të një ujdie, ndërsa kompania e medieve sociale po punon për të arritur kushtet më të përshtatshme të një transaksioni. Mësohet se Musk po rreshton partnerë për blerjen dhe vazhdon të flasë me bashkë-investitorët e mundshëm.
Twitteri u përpoq më herët ta pengonte përpjekjen e miliarderit për ta marrë kontrollin e kompanisë, nëpërmjet një të ashtëquajture “pilule helmuese”, një instrument financiar që kompanitë e përdorin prej shumë dekadash kundër blerësve të interesuar të padëshiruar. Përbërësit e secilës “pilulë helmuese” dallojnë, por të gjitha ato janë të krijuara për t’u dhënë bordeve të korporatave një opsion për të vërshuar tregun me shumë aksione të reja, saqë një blerje bëhet shumë e shtrenjtë për t’u realizuar. Strategjia fitoi popullaritet në vitet ‘80, kur shoqëritë publike bëheshin pre e blerësve të aksioneve të mëdha si Carl Icahn, të cilët tani më shpesh përshkruhen si “investitorë aktivistë”.
Musk, i njohur më mirë si shef ekzekutiv i prodhuesit të automjeteve elektrike Tesla, aktualisht ka në pronësi rreth 9 për qind të aksioneve të Twitter-it, por ka shprehur interesimin për të blerë më shumë.