Titulli ishte një çështje e mbyllur kohë më parë, vetëm matematika nuk e lejon Tiranën të festojë, por pavarësisht shifrave dhe diferencës së frikshme kryeqytetasit as që kanë ndërmend të ulin ritmin, vijojnë marshimin duke thyer çdo rival që i del përpara. Në këtë fillim faze të katërt të gjithë ishin sy e veshë për të parë se si do të silleshin bardheblutë, ekipi i Shehit respekton garën, respekton fanellën, duke thyer Skënderbeun me rezultatin e thellë 0-4. 16 pikë plus vendin të dytë, është treguesi më i qartë i forcës së këtij ekipi. Kjo ishte një goditje shumë e rëndë për Skënderbeun, mbijetesa tashmë bëhet një mision i pamundur.
Shehi ka luksin të ketë në dispozicion një dyshe fantastike Xhixha-Seferi me këtë të fundit që shërbeu në çdo formë, dy asiste dhe një gol, një tjetër ndeshje vitrinë për sulmuesin e Kombëtares. Diferencat mes dy ekipeve ishte të prekshme në fushë, Seferi driblonte këdo që i dilte përpara, në minutën e 25-të dhuroi një asisit për Xhixhën që goditi traversën. Në të 33-tën, me një kthesë të rrezikshme brenda në zonë i shkojë shumë pranë golit të avantazhit, por vetëm katër minuta më pas, dhuroi spektakël në zonë, duke i dhuruar Xhixhës një asist perfekt me sulmuesin që nuk fali duke dërguar topin në rrjetë.
Historia nuk ndryshojë shumë as në pjesën e dytë, Skënderbeu ishte i pafuqishëm për tu rikthyer në lojë ndërsa në minutën e 62-të, Tirana gjeti dhe golin e dytë me Totre. Pesë minuta më parë, Seferi dhurojë sërish një asisit perfekt, këtë herë për Nikiqin që nuk fali duke dërguar topin në rrjetë. Nuk mund të mungonte në banket as vetë Seferi i cili në minutën e 88-të u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë duke kompletuar “pokerin” bardheblu.