Tirana u solidarizua sot me popullin e Ukrainës dhe tmerret që po përjeton vendi prej 43 ditësh nga agresioni rus. Në manifestimin që mbushi me flamujt e Ukrainës qytetin e Tiranës, nga Sheshi “Skënderbej” deri te rruga “Ukraina e Lirë”, së bashku me qytetarët marshuan edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, si dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh mirënjohës për qytetarët e Tiranës që iu bashkuan manifestimit, për të treguar se Tirana nuk hesht përpara mizorive ruse. “Jam mirënjohës për djemtë dhe vajzat, të rinjtë e qytetit tonë, për ata që na ftuan, ata që na mblodhën bashkë, sepse një qytet që ka ndërgjegje, një qytet që lë mënjanë bindjet politike, bindjet fetare, prejardhjen e tij dhe fokusohet tek humanizmi, është një qytet që ka të ardhme. Kur ndaheshin çmimet “Grammy”, Presidenti Zelenksy tha: “Na ndihmoni me çfarë të mundeni, por jo me heshtje, se heshtja nuk është ndihmë”. Heshtja në fakt është konfirmim që ajo që po ndodh është OK, ajo që po ndodh është diçka shumë larg, ajo që po ndodh nuk na prek. Fakti që sot Tirana është mbledhur bashkë, për të treguar se ne nuk heshtim edhe përballë ambasadës ruse, në një rrugë që quhet “Ukraina e lirë”, tregon se ky qytet do të mbajë një qëndrim derisa kjo luftë të mbarojë,” tha ai.
Veliaj u shpreh krenar, veçanërisht për shqiptarët që kanë hapur dyert për të pritur refugjatët e luftës në Ukrainë. “Sot jam shumë krenar për Fatbardhën. Ajo ka hapur shtëpinë e saj për 51 fëmijë nga Ukraina. Unë nuk e di – dhe jam i sigurt se as Fatbardha nuk e di – se cili prej atyre 51 fëmijëve do të jetë Zelensky i ardhshëm, kush do të jetë Klitschko i ardhshëm, sopranoja apo tenori i ardhshëm, por fatkeqësisht, misioni i Fatbardhës nuk po mbaron. Ne na duhen të gjithë Fatbardhët e Shqipërisë, të gjithë ata burra dhe gra që kanë mundësi, sepse vetëm në këtë javë ne po presim fëmijë të tjerë dhe nuk e dimë sa do të vazhdojë kjo barbari. Ndaj, do të na duhet çdo njeri që ka mundësi, qoftë duke dhënë të mira materiale, qoftë duke hapur shtëpinë e tij, të tregojë se ne këtu jemi të gjithë si Fatbardha. Kemi një derë të hapur, kemi një mendje të hapur, e mbi të gjitha, kemi një zemër të hapur, siç e treguam me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, siç e treguam me afganët përpara një viti dhe siç do ta tregojmë me popullin e Ukrainës, për sa kohë që të ketë nevojë,” u shpreh ai.
Duke folur në gjuhën diplomatike, Veliaj iu drejtua diplomatëve rusë në Tiranë të rreshtohen në anën e duhur të historisë. “Ne nuk jemi këtu për të bërë presion për diplomatët rusë, këtu pas shpatullave tona – ne nuk jemi vandalë, nuk jemi rrugaçë, nuk jemi dhunues, nuk jemi të vrazhdë, nuk jemi vulgarë, por është një moment për të thënë: Dakord, në Rusi ndoshta censurohet media, po për ata që jetojnë këtu në Tiranë, që mund të hapin faqet e internetit dhe të shikojnë shumë prej televizioneve tona, nuk mund të thonë që kjo është një skenë Hollyëood-i, nuk mund të thonë se qindra vende masakrash janë skena Hollyëood-I. Ndaj, thirrja jonë është edhe për ta, është momenti për të bërë një akt dinjitoz, të lënë shërbimin ndaj një qeverie gjakatare, të lënë shërbimin diplomatik ndaj atyre që dhurojnë me barbari që as i kishim imagjinuar kurrë ndërkohë që po rriteshim, ndërkohë që pamë se çfarë ndodhi në Kosovë dhe në fakt, që nga Lufta e Dytë Botërore, pas asaj që ndodhi me hebrenjtë, kemi thënë: “Never again!”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, në fjalën e saj u shpreh se Putin i ka bërë keq llogaritë kur mendoi të pushtonte Ukrainën. “Që prej shkurtit, e gjithë bota ka parë atë çka ka bërë lufta e Vladimir Putin, kur nisi pushtimin e paramenduar, të pajustifikuar dhe brutal ndaj Ukrainës. Siç tha edhe presidenti Biden, Putin i kishte bërë keq llogaritë. Në vend të saj, ai u ndesh me një mur të fortë, u ndesh me popullin ukrainas! Është nder për mua të qëndroj së bashku me mikun tim, ambasadorin e Ukrainës. Ne qëndrojmë me Ukrainën! Nuk ka popull që e di më mirë se shqiptarët çfarë do të thotë të të mohojnë ekzistencën tënde. Askush nuk e di më mirë tmerrin e të larguarit prej bombave e terrorizmit! Askush nuk e njeh më mirë agoninë e të hapurit të varreve për personat e afërt që kanë vdekur apo më keq akoma pamundësia për t’u dhënë një varr atyre që kanë vdekur. Askush nuk e njeh më mirë vlerën e ngushëllimin kur dikush shtrin dorën një miku që ka nevojë”, tha ndër të tjera Kim.
Ndërsa, ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov u shpreh krenar për një solidaritet kaq të madh me popullin e tij. “Sot po ju drejtohem në emër të popullit tonë që me kurajo ka mbrojtur atdheun tonë në 43 ditët e shkuara. Kjo përpjekje ka marrë një shkallë epike me manifestimin e virtyteve më të larta të Ukrainës, që më bëjnë krenar të them që jam ukrainas. Ju të gjithë e keni parë tmerrin e lënë pas nga ushtarët rusë në qytetet e Ukrainës, ngacmimet, vrasjet dhe dhuna ku përfshihen edhe të miturit. Kjo bëhet me qëllim dhe cinizëm, të cilat tregojnë reflekset kafshërore të agresorit dhe një dëshire për të nëpërkëmbur popullin tonë. Sot e kësaj dite armiku po përqendron mijëra tanke, raketa dhe helikopterë në Ukrainën Lindore dhe ne e dimë që ata nuk do të ndalojnë. Për këtë arsye, i bëj thirrje botës së qytetëruar për të transferuar armët e nevojshme dhe të ndërmarrin sanksionet më të rënda ndaj Rusisë. Bucha na lë pa asnjë farë dyshimi se Rusia nuk rrezikon me brutalitetin e saj vetëm Ukrainën, por të gjithë botën demokratike”, tha Ambasadori Shkurov.
Manifestimi u përshëndet përmes një videomesazhi edhe nga ana e kryetarit të Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, i cili falënderoi Tiranën zyrtare që po e mbështet popullin ukrainas në këto momente të vështira.