Juventus-Inter do të thithë të gjithë vëmendjen e botës së futbollit ditën e diel dhe nuk po flasim vetëm për në Itali, duke njohur spektaklin dhe rivalitetin e fortë që ndez kjo sfidë. Nëse bardhezinjtë janë rikthyer në garë për titullin kampion, skuadra e Masimiliano Alegrit gëzon edhe një formë fantastike, duke qenë se në Serinë A nuk humb prej 16 takimesh radhazi (11 fitore dhe 5 barazime), skuadra më në formë e Europës nga 30 nëntori 2021 (hera e fundit kur Juvja humbi) e deri më sot.
Nga ana tjetër, Interi duhet të fitojë me çdo kusht për të mos humbur trenin e titullit dhe mbi të gjitha të japë një sinjal të fortë jete, duke qenë se në 9 ndeshjet e fundit në kampionat kanë mundur të grumbullojnë vetëm 11 pikë (2 fitore, 5 barazime dhe 2 humbje), 10 më pak sesa Juventusi. Dhe pse jo, mjaftojnë këto shifra, por edhe disa të tjera më poshtë për të garantuar se të dielën në mbrëmje, në “Allianz Stadium” do të jetë një betejë fantastike, që nuk duhet humbur. Ndërkohë, të tjerë numra dhe statistika vijojnë si më poshtë:
– Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e vajtjes, zikaltrit mund ta mbyllin pa humbje Serinë A përballë Juventusit, për të parën herë që nga sezoni 2008-2009. – Duke marrë parasysh të gjitha kompeticionet, Interi ka fituar vetëm 1 nga 15 sfidat e fundit në “Allianz Stadium” ndaj Juventusit (sukses 1-3 në kampionat me Stramaçonin në stol, më 3 nëntor 2012). Në këtë periudhë gati 10-vjeçare bilanci flet për 10 fitore bardhezi dhe 4 barazime.
– Që Interi duhet të bëjë kujdes ndaj Dushan Vlahoviçit kjo dihet, duke parë cilësitë e bomberit serb. Por në të njëjtën kohë, 22-vjeçarit të Juventusit zikaltrit duket se i sjellin fat, duke qenë se ai e vuri veten e tij në vitrinën italianë pikërisht duke ia shënuar Interit golin e parë në Itali, nga 48 në total. Kjo ndodhi më 15 dhjetor 2019, i cili i lejoi Fiorentinës që të marrë një barazim 1-1 ndaj milanezëve, në limitet e kohës së rregullt. – Interi ka harruar së fundmi të fitojë në transfertë. Skuadra e Simone Inzagit i ka barazuar të katërta transfertat e fundit, dy 0-0 dhe dy 1-1. – Juventusi është skuadra që e ka mbajtur portën të paprekur më shumë se kushdo tjetër në këtë kampionat (13), por në të njëjtën kohë edhe ajo që pëson më pak goditje mesatarisht në kuadrat (3.1 për ndeshje për bardhezinjtë, 3.6 për Interin)/PANORAMASPORT.