Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është përgjigjur debatit që ngriti në parlament, një javë më parë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku lidhur me cilësinë e ujit në Tiranë. Teksa i shpehu mirënjohjen e veçantë Vladimir Gjinos, punonjësit që ka mbi gjysmë shekulli që punon në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, Veliaj zgjodhi rastin për të krahasuar gjendjen e sotme të UKT me situatën ku ndodhej 7 vite me parë, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga ish-kryetari i PD, Lulzim Basha, ku Tabaku ishte nenkryetare bashkie.
“Kujtoj çfarë ndërmarrjeje trashëguam në ujësjellës. Ishte në prag të deklarimit të falimentit. Jo vetëm që nuk paguante rrogat, por kishte Tirana furnizohej me 7 orë ujë ne dite. Kjo situate nuk ka qenë para 50-60 vitesh, po flasim për para 7 vitesh. Kurse sot kemi një Tiranë komplet tjetër. Akoma nuk është përmbushur ambicia jonë, por fakti që kemi kaluar në një qytet me 17-18 orë ujë, dhe fakti se për 95% të qytetarëve kjo s’ndihet fare falë sistemit si funksionojmë me depot lokale, është padyshim kontribut i Ladit dhe i njerëzve si Ladi, që i kanë dedikuar më shumë se gjysëm shekulli një institucioni, ndoshta nga më të vështirët për tu menaxhuar,” u shpreh Veliaj.
Ai kujtoi edhe një tjetër detaj që flet më tepër se gjithçka për gjenden ku ishte katandisur Bashkia e Tiranës.
“Kur dëgjoja Joridën, ish-nënkryetaren e Bashkisë, kur fliste për ujin në Tiranë, më kujtohet dita e parë në Bashki, ku tek tualeti i katit te dytë ne kete ndertese, ku vijnë të gjithë delegacionet e huaja, ishte një fuçi e madhe uji me sapllake. E imagjinoni, kur erdhi princi Monakos ne Tirane, po t’i duhej të shkonte ne tualet do gjente sapllaken e Lulit dhe Joridës! Na vjen për të qeshur tani, se na duket sikur është përrallë nga e kaluara, por kush ka punuar në Bashki e di që ne tualetin e katit te dyte, në kohën e Lulit dhe të Joridës, ndodhej fuçia e madhe, nga ato fuçitë e naftës, apo të mazutit, e cila mbushej me ujë dhe kishte një sapllake që pluskonte si anija e Kristofor Kolombit në kërkim të botës së re, që nuk e gjente dot. E kuptoni që të vinin presidentë dhe gjithë këta njerëz që kemi pritur këto vite dhe t’i çonim tek sapllakja!? Kur dëgjoj ata që flasin për ujin është një fyerje shumë e madhe e inteligjencës. Jam munduar që në këtë Bashki mos t’i politizoj gjërat, përveçse kur duhet të mbroj punën e Bashkisë, por jemi dita me natën sot,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se Ujësjellësi i Tiranës është nga të vetmet ndërmarje në Ballkan, që ka kaluar testin e të qenit serioz dhe sot është ndërmarrje që del me fitim. Ndërsa, sa i përket ujit të amballazhuar, Veliaj tha se shërbimi ndaj delegacioneve është pjesë e protokollit. “E pashë që plasi ajo historia pse Bashkia merr ujë me shishe, por UKT nuk i lejohet te shese uje te ambalazhuar te treg. Nëse vjen një delegacion, nuk i themi dot shko te sapllakja. Tani s’ka më sapllake, se higjiena në bashki është mbresëlënëse, po kur të vjen një personalitet do i japësh ujë te ambalazhuar, që ofrohet në të gjitha hotelet e Tiranës, nuk i thua dot kthehu te sapllakja e Lulit e Joridës”.
Në prag të “1 Majit”, Ditës së Punëtorëve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi të gjithë punonjësit që kujdesen për mbarëvajtjen e punëve dhe shërbimeve në qytet, si dhe i shprehu mirënjohjen e tij 11 punonjësve më të vjetër të bashkisë ndër vite, të cilët shërbejnë në ndërmarrje të ndryshme të qytetit.