Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për televizionin australian, “ABC”, ka folur mbi zhvillimet e fundit në Evropë dhe përjetimet e popullit të Kosovës në luftën, siç e quajti ajo, gjenocidale të viteve ‘90.
Osmani tha se lufta në Ukrainë sjell kujtime të dhimbshme për popullin e Kosovës, pasi sipas saj, edhe populli i Kosovës ka qenë viktimë e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, nga politika gjenocidale e Milloshevicit.
Osmani tha se ajo çfarë po shohin në Ukrainë është një kujtesë se nëpër çfarë ka kaluar populli i Kosovës dhe se ende s’ka drejtësi për viktimat e krimeve.
“Ne jo vetëm që u solidarizuam me ta, por ishim shteti i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që iu bashkëngjitëm sanksioneve të ShBA-së dhe BE-së dhe partnerë si Australia”.
“Pavarësisht se jemi vend i vogël, në këtë kohë të vështirë për kontinentin tonë, duhet të qëndrojmë bashkë pavarësisht se jemi të vogël apo të mëdhenj”, është shprehur Osmani.
Osmani tha se pasojat e rajonit të Ballkanit mund të lidhen me sigurinë, pasi sipas saj, Rusia e ka një ‘satelit’ në rajon, që është Serbia, vend ky që sipas Osmanit i ka shërbyer interesave të Rusisë për kohë të gjatë dhe ka një bashkëpunim ekonomik e ushtarak në vitet e fundit.